Maqedoni
Komuna e Tetovës organizoi debat publik për sjelljen e buxhetit 2023
21.12.2022 15:29
Komuna e Tetovës ka organizuar sot debat publik për sjelljen e buxhetit të vitit 2023....

Komuna e Tetovës ka organizuar sot debat publik për sjelljen e buxhetit të vitit 2023. Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se buxheti i komunës së Tetovës është 29.4 milion euro, por sipas tij shumica është bllok-dotacion, kurse buxheti vetanak është 7.2 milion euro që pritet të menaxhojë komunën për një vit. Kasami tha se ky buxhet nuk i mbulon kërkesat e banorëve po aq është i lejuar nga Ministria e Financave. Kasami më tej shtoi se debati publik ka filluar nga Malësia e Tetovës dhe ky debat i organizuar sot ka të bëj me kërkesat e banorëve që janë për infrastrukturë më të mirë, kanalizim, rrjet të ujësjellësit, parqe dhe gjelbërime më shumë.
“Si masë paraprake ka qenë edhe takimi i drejtpërdrejt me qytetarët veçanërisht të një pjese të Malësisë, të cilët vlerësuam se kanë më të vështirë të vijnë sot në këtë debat publik. Kërkesat e qytetarëve janë nevoja të përditshme, siç ka të bëjë me infrastrukturën rrugore, me ujë, me kanalizime dhe me problemet që janë të kamotshme që duhet rregulluar. Korniza buxhetore për vitin 2023 është 29.4 milion euro, nga të cilat 19 milion janë bllok-dotacione, 2.2 milion janë donacione për projekte të ndryshme, 7.2 milion është buxheti bazë i komunës së Tetovës dhe 0.8 milion janë të hyra të institucioneve burimore vetëfinancuese, siç janë shkollat dhe çerdhet.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndërsa, këshilltari nga radhët e BDI-së thanë se sot kanë ardhur për të dëgjuar debatin dhe në mbledhjen e këshillit do t’i prezantojnë kërkesat e tyre. Ata thanë se janë të gatshëm të votojnë buxhetin komunal ku e shohin se është në interes të qytetarëve.
“Sot jemi vetëm për të dëgjuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, ndërsa ne punën tonë do ta bëjmë në seancën e këshillit, aty ku do t’i prezantojmë vërejtjet tona dhe projektet që duhet të realizohen dhe kanë nevojë qytetarët për ato projekte. Ne këtu jemi për të bërë opozitën konstruktive dhe do të votojmë çdo gjë në të mirë të qytetit dhe qytetarëve dhe do të kritikojmë çdo punë që është në dëm të qytetarëve.”, - u shpreh këshilltari BDI-së.
Përndryshe vitin e kaluar këshilli komunal në Tetovë u shpërbë dhe shkoi në zgjedhje pasi i njëjti nuk arriti të votoj llogarinë përfundimtare. Këtë vit Lëvizja Besa, është në koalicion me VMRO-DPMNE dhe e ka më të lehtë sjelljen e buxhetit dhe votimin e llogarisë përfundimtare. Ndërkohë, komuna e Tetovës edhe pas një viti me qeverisje me Kasamin vazhdon të ngulfat nga borxhi i trashëguar dhe i krijuar këtë vit, ku vetëm javën e kaluar u bë pagesa e punëtorëve të JKP-së, të cilët ishin 4 muaj pa marrë rroga. Ndërkaq, ka mbi 100 punëtorë të cilët kanë kontratë në ndërmarrjet komunale të cilëve nuk u paguhen as kontributet shëndetësore dhe ai pensional dhe dy, tre muaj presin për marrjen e rrogave.
VISAR SADIKU
