Shoqatat bullgare në kuvendin e fqiut lindor, Shatarov: Na mohohet e drejta, aktivizohuni më tepër
Përfaqësuesit e klubeve bullgare në Ohër...

Përfaqësuesit e klubeve bullgare në Ohër, Manastir dhe Prilep, kanë raportuar në komisionin e parlamentit bullgar lidhur me trajtimin e tyre jashtë shtetit amë. Ata ankohen për shkelje sistematike të së drejtës për deklarim dhe vetëpërcaktim etnik në Maqedoninë e Veriut me kritikë edhe për neglizhencën e Sofjes ndaj tyre.
“Kemi pasur takime me të gjitha partitë politike në kuvend, por akoma gjërat ngelin vetëm fjalë. Nuk ka aktivitet nga ana juaj dhe këtë e shfrytëzojnë strukturat e Maqedonisë. Çdo ditë veprojnë, çdo ditë nxjerrin diçka të re.”, - tha përfaqësuesi i klubit bullgar në Manastir, Vllado Shatarov.
Bellobradova: Do ta njoftojmë komisionin evropian
Ankesat e bullgarëve maqedonas zënë vend në veshin e autoriteteve të fqiut lindor. Nënkryetarja e komisionit Elizabeta Bellobradova premton se pakënaqësitë e tyre do t’i paraqesë në formë të shkruar në Komisionin Evropian.
“Më e rëndësishmja që duhet ta bëjmë është që në buxhetin e ri të parashihen edhe mjete për ndihmë juridike.”, - theksoi nënkryetarja e Komisionit parlamentar bullgar, Elisabeta Bellobradova.
Revolta e komunitetit bullgar u rrit me fuqizimin e ndryshimeve të Ligjit për formimin e shoqatave dhe fondacioneve, ku kërkohet të tërhiqen emrat kontrovers me të cilat janë emëruar shoqatat bullgare.
Këto ndryshime detyrojnë klubet bullgare që deri në muajin shkurt t’i ndërrojnë emrat ose në të kundërtën do të mbyllen.
Ligji për formimin e shoqatave pritet të vihet për votim në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa tani po përgatitet vendimi ligjor dhe draft-versioni, bartëse e së cilës është Ministria e Drejtësisë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
