Maqedoni

Ndërpritet rrjeti ndërkombëtar, 9 persona në pranga, trafikonin emigrantë

21.12.2022 17:08

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB....

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB, në aksion të koordinuar për ndërprerjen e një rrejti ndërkombëtar për trafikimin e emigrantëve, kanë arrestuar 9 persona në disa lokacione në Komunën e Gazi Babës dhe Komunën e Studeniçanit. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy fëmijë 16 vjeçar, ndërsa dy të dyshuar janë në arrati. Për shkak të realizimit me sukses të kontrabandës, grupi i organizuar ka marrë në vazhdimësi mbështetje logjistike dhe mbështetje tjetër nga punonjësi i dyshuar i policisë, i cili qëllimisht ka ndihmuar duke dhënë informacione për vendin dhe kohën ku nuk do të kishte kontrolle policore, përgjatë rrugës nëpër të cilën të dyshuarit  kanë transportuar emigrantët.
 
“Mes të dyshuarve është edhe një zyrtar policie, si dhe dy persona të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin me burg për veprën e kontrabandës me emigrantë. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të gjithë të dyshuarit kanë kryer veprën e Organizimit të grupit dhe nxitjes së kryerjes së krimeve të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të fëmijëve dhe kontrabandës me emigrantë nga neni 418 v, dhe kontrabandës me migrantë nga neni 418 b, të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
 
Të dyshuarit kanë organizuar transferimin e paligjshëm të emigrantëve nga Afganistani, Pakistani, Siria, Kashmiri dhe India me qëllim të përfitimit material.
 
Emigrantët, me ndihmën e të ashtuquajturve udhërrëfyes janë bartur në mënyrë të koordinuar në lokacione të përcaktuara, ndërsa si destinacion përfundimtar kanë pasur vendet e BE-së. 
 
Në periudhën e përmendur, ky grup kriminal ka transportuar ilegalisht të paktën 86 emigrantë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI