Botë

”Jo më vajza në universitet”, bota dënon ashpër vendimin e talibanëve

21.12.2022 18:42

Vajzave afgane u ndalohet të shkojnë në universitet....

Vajzave afgane u ndalohet të shkojnë në universitet. Ky  vendim i qeverisë talibane shënon hapin e fundit të fushatës brutale kundër të drejtave dhe lirive të grave dhe nxiti reagime të forta ndërkombëtare dhe dëshpërim mes të rinjve në vend. Ministria e Arsimit e njoftoi një masë të tillë ditën e martë, duke thënë se ajo do të hynte në fuqi menjëherë.
 
Pas ardhjes në pushtet vitin e kaluar, talibanët pezulluan shkollimin e tyre përtej nivelit fillor dhe vendimi i fundit, kufizon më tej të drejtën e vajzave për t’u arsimuar. Grupe protestuesish dolën në rrugët e kryeqytetit Kabul për të kundërshtuar mbylljen e universiteteve për vajzat, por ato u ndaluan shpejt nga zyrtarët talibanë.
 
OKB  dhe një sërë vendesh të tjera dënuan urdhërin e ri, që e kthen pas Afganistanin në periudhën e parë të udhëheqjes talibane, kur gratë nuk mund të shkonin në shkolla.
 
“Kjo është një tjetër shkelje e premtimeve nga talibanët. Nuk mund ta imagjinojmë dot se si mund të zhvillohet një vend pa pjesëmarrjen aktive dhe arsimimin e vajzave.”, thonë nga  OKB-ja. 
 
Shtetet e Bashkuara thanë se një vendim i tillë do të ketë pasojë për talibanët. Sekretari i shtetit Anthony Blinken thotë se ata nuk mund të presin të jenë pjesëtarë të ligjshëm të komunitetit ndërkombëtar, deri sa nuk respektojnë të drejtat e të gjithëve në Afganistan.
 
SAFET ADEMI