Botë

Bahmut, shënjestër e Rusisë, qyteti reziston, por rreziku është i lartë

21.12.2022 18:58

Rusia ka shtuar sulmet në Bahmut, i cili ka qenë në epiqendrën e luftimeve të ashpra ditëve të fundit....

Rusia ka shtuar sulmet në Bahmut, i cili ka qenë në epiqendrën e luftimeve të ashpra ditëve të fundit. Pavarësisht bombardimeve intensive, ushtria ukrainase reziston, por rreziku është i lartë. 
 
"Situata është e tensionuar, sepse rusët janë të shumtë në numër. Por ne po mbrohemi dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën."- u shpreh një ushtar. 
 
"Një kilometër larg kësaj zone, atje janë rusët dhe ata janë 200 në numër.", - tha një ushtar tjetër.
 
"Rusët po gjuajnë për të nxjerrë jashtë burrat tanë, por ata nuk ia kanë dalë akoma.", - u shpreh ushtari.
 
Banorët qëndrojnë në radhë për të marrë ndihma edhe pse një gjë e tillë është mjaft e rrezikshme.
 
“Ne kemi nevojë për gjithçka.", - tha një banor.
 
"Është e rrezikshme të jesh këtu, por çfarë mund të bëjmë tjetër?", - u shpreh një banore.
 
“Ushtria po bën më të mirën, por kjo nuk mjafton.", - tha një banor tjetër.
 
Rusia nuk e ka në plan të ndalojë, Putin: Numri i ushtarëve rritet
 
Marrja e Bahmutit do të prishte linjat e furnizimit të Ukrainës dhe do të hapte një rrugë për forcat ruse për të hyrë drejt  Kramatorsk dhe Sloviansk, të cilat janë bastionet kryesore të Ukrainës. Presidenti rus, Vlladimir Putin, nuk e ka në plan të ndalojë ofensivën.
 
"Dihet mirë se potenciali ushtarak dhe aftësitë e pothuajse të gjitha vendeve kryesore të NATO-s po përdoren në mënyrë aktive kundër Rusisë. Megjithatë, ushtarët, rreshterët dhe oficerët tanë po luftojnë për Rusinë me guxim,  vendosmëri e besim, hap pas hapi ata zgjidhin detyrat e tyre në të gjitha territoret e Federatës Ruse, duke përfshirë territoret e reja.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
 
Zelenski në Uashington, takim me presidentin amerikan Joe Biden
 
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është nisur drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin amerikan Joe Biden, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga pushtimi rus në shkurt. Shtëpia e Bardhë tha se do të furnizojë Ukrainën me një bateri raketash Patriot, duke rritur ndjeshëm aftësinë e mbrojtjes ajrore të vendit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU