Escobar: Partitë nacionaliste janë më të korruptuarat
22.12.2022 10:57
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special...

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se do të dëshironte ta shihte Evropën më shumë të orientuar drejt Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë në Këshillin Atlantik, Escobar potencon gjithsesi se problemi më i madh në rajon është korrupsioni, për të cilin fajtori më i madh janë partitë nacionaliste, të cilat sipas tij, janë më të korruptuara.
“Korrupsioni është problemi më i madh për rajonin. Nacionalizmi dhe rivalizmi etnik është vetëm një maskë për të mbuluar Korrupsionin”, potencon Escobar.
Ai thotë ndër të tjera se Maqedonia e Veriut është shembull se si duhet të përballesh me të gjitha sfidat në rrugëtimin drejt BE-së, duke iu referuar vetos bullgare dhe kërkesave për ndryshimin e Kushtetutës.
“Në një rajon me sfida, marrëdhënie dhe qeverisje shumë etnike, Maqedonia e Veriut shquhet si një shembull shumë i mirë se si një shtet multietnik mund të funksionojë. Ajo është shembull edhe për shtetet e tjera që përballen me të njëjtat çështje”, thotë Escobar.
