Prokuroria e lartë e Shkupit, të premten tentim i ri për zgjedhjen e kryetarit

22.12.2022 11:20

Këshilli i prokurorëve publikë nesër do të ketë takimin e radhës...

Këshilli i prokurorëve publikë nesër do të ketë takimin e radhës në përpjekje për zgjedhjen e kreut të  Prokurorisë së Lartë në Shkup. 

Në seancën e së premtes, këshilli do të mund të votojë vetëm për kandidatin  Mustafa Hajrullahi, pasi prokurorët Fatime Fetai dhe Burim Rustemi janë tërhequr nga gara. Kjo do të jetë përpjekja e tretë për të zgjedhur kreun e Prokurorisë së Lartë në Shkup. Shtyrja e parë  u bë pasi anëtarët e këshillit kërkuan kohë shtesë për të shqyrtuar biografitë e tre kandidatëve, ndërkohë Fetai e tërhoqi kandidaturën e saj pa dhënë arsye.
 
Edhe Rustemi doli nga gara kur këshilli mbeti pa kuorum gjatë tentativës së dytë për të zgjedhur kreun e PLSH-së. Përveç Gjykatës së Lartë në Shkup, të premten duhet të zgjidhen edhe krerët e prokurorive në Gostivar, Manastir, Veles, Kumanovë. Do të propozohet edhe publikimi i shpalljes së re për prokurorët që do të ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin, pasi asnjëri prej kandidatëve në përzgjedhjet e kaluara,  nuk arriti të marrë mbështetje nga Këshilli i Prokurorëve.