Rasti "Titanik 2", mungon Mijallkov, anulohet seanca
Edhe pse për një afat të shkurtër...

Edhe pse për një afat të shkurtër për më pak se katër muaj do të vjetërsohet lënda "Titanik 2" ku të akuzuarit, ish-shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, kryetari i PDSh-së Menduh Thaçi dhe ish-anëtarë të tjerë të KShZ-së, mund të lirohen nga ndjekja penale, anulohet seanca gjyqësore.
Nga Gjykata penale theksojnë se shërbimet e burgut të Strugës, nuk e kanë zbatuar urdhërin për sjelljen e të akuzuarit Sasho Mijallkov në seancë gjyqësore edhe pse urdhëresa është dorëzuar në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, nga Drejtoria e burgut të Strugës, fajin për mos sjelljen e Mijallkov-it në seancë gjyqësore, ia kanë lënë Gjykatës Penale në Shkup.
Sipas tyre, është gjykata ajo që ka bërë gabim teknik dhe se nuk kanë pasur urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit më 22 dhjetor.
"Bëhet fjalë për gabim teknik nga ana e Gjykatës Penale. Në institucionin tonë fillimisht morëm urdhër për sjelljen e të akuzuarit Sasho Mijallkov më 28 nëntor dhe 12 dhjetor dhe mbi këtë urdhëresë kemi vepruar. Seanca gjyqësore e 12 dhjetorit u anulua dhe pastaj më 14 dhjetor arriti kërkesë e re nga Gjykata penale për personin e njëjtë. Në këtë kërkesë data e seancës gjyqësore ishte 12 dhjetor, sikurse ajo e mëparshmja.", ka thënë drejori i Burgut, Valon Qyla.
Për të sqaruar këtë situatë, nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve, theksojnë se do të realizojnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme për të vërtetuar gjendjen faktike, për të cilën i akuzuari Sasho Mijallkov nuk është sjellur nga burgu i Strugës për gjykim.
"Do të vërtetohet përgjegjësi dhe do të sanksionohen të gjithë që kanë bërë lëshime të qëllimshme apo të pa qëllimshme. Për mbikëqyrjen e jashtëzakonshme, publiku do të informohet në mënyrë plotësuese.", informojnë nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve.
Gjykata penale në vitin 2019 e shpalli fajtor ish-shefin e DSK-së Sasho Mijallkov për shpërblim dhe ndikim kundërligjorë. Sipas akuzës së PSP-së, Mijallkov përmes Liderit të PDSh-së, Menduh Thaçi, ka porositur që bashkëpartiaku i tij Bedredin Ibraimi, anëtarë në KShZ, të votojë për prishjen e votimit në një vendvotim në Strumicë, në favor të VMRO-DPMNE-së.
Në dhjetor të vitit 2019 Gjykata e apelit anuloi vendimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
