Maqedoni

Fjalimi i Pendarovskit para deputetëve, përplasi pushtetin dhe opozitën

22.12.2022 15:10

Mesazhet e përcjella nga fjalimi vjetor i presidentit Stevo Pendarovski në shtëpinë ligjvënëse....

Mesazhet e përcjella nga fjalimi vjetor i presidentit Stevo Pendarovski në shtëpinë ligjvënëse, sidomos ajo për nevojën e ndryshimeve kushtetuese përplasi pushtetin dhe opozitën. LSDM e mirëpret faktin që presidenti Pendarovski qëndron fuqishëm pas politikave që nënkuptojnë vlera evropiane në vend, të cilat e forcojnë partneritetin strategjik me ShBA-në dhe çojnë në anëtarësimin e plotë në BE.
 
“Lidhja social-demokrate e Maqedonisë përshëndet atë që presidenti Pendarovski fuqishëm qëndron prapa politikave që nënkuptojnë vlerat evropiane në vend, të cilat e forcojnë partneritetin strategjik me ShBA-të dhe çojnë drejt anëtarësimit të plot në BE. Bllokadat e opozitës brenda në Kuvend duhet të marrin fund, ato janë të papërgjegjshme dhe në dëm të qytetarëve dhe shtetit. Është e nevojshme mbështetje nga të gjithë pjesëmarrësit.”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Daniela Koleva.
 
Nga BDI me vlerësim se fjalimi i presidentit kur flet për mosbesimin e qytetarëve në institucionet e brendshme ishte konstruktiv, prandaj BDI ofrojnë zgjidhje sistematike. Ndërsa sa i përket ndryshimeve kushtetuese ato duhet të ndodhin sa më shpejt. 
 
“Ne po i gëzojmë benefitet e marrëveshjes së Prespës, po ashtu duhet të gëzojmë edhe benefitet e propozimit francez. Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin një ditë e më para. Ndryshimet kushtetuese ku do të inkorporoheshin edhe komuniteti bullgar përskaj komuniteteve tjera që janë pjesë e preambulës, nuk do t’i sjellin asgjë të keqe vendit tonë. Përkundrazi një herë e përgjithmonë bëhet distikcion midis popullit maqedonas dhe popullit bullgar, që s’ka mundësi që të jenë i njëjti popull.”, - tha Arbër Ademi nga BDI.
 
 Nga VMRO-DPMNE thonë se me fjalimin e tij, Pendarvoski, dëshmoi se vepron si politikan dhe në mbrojtje ekzekutivit, ndërsa fjalimin e tij e cilësuan si të zbehtë.  
 
“Në vend që të performonte si president, ai performoi si politikan. Ai duhet të jetë president i të gjithëve dhe nuk duhet të veproj në mbrojtje të pushtetit e cila e çon Maqedoninë në humnerë dhe sundon me kriminalitet dhe korrupsion. Ajo që për të ishte e rëndësishme, nuk është përparimi i Maqedonisë, por se a do të jetë ose jo i mbështetur në mandatin e ardhshëm nga LSDM. Dhe prej këtu i ndërtoi të gjitha pozitat, e gjitha ishte një fjalim i zbehtë.”. – u tha nga VMRO-DPMNE.
 
Ndërsa për Aleancën për shqiptarët, presidenti i shtetit vetëm ka konstatuar gjendjen reale, por në fjalimin e tij nuk ka ofruar as një zgjidhje. “Presidenti duhet të ofrojë hapa konkret dhe jo vetëm konstatime. Nevojitet llogaridhënie nga të korruptuarit. Te ne presidenti i vendit dezerton nga lufta kundër korrupsionit”, tha deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.
 
SANIJE DURAKU