Botë
Zelensky në Kongresin amerikan: Ukraina do të vazhdojë të rezistojë
22.12.2022 16:41
Ukraina vazhdon ende të qëndrojë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta mposhtur, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky...

Ukraina vazhdon ende të qëndrojë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta mposhtur, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në Kongresin amerikan. Ai u zotua se nuk do të bëjë kompromise në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Vizita e udhëheqësit të Ukrainës u shoqërua me miratimin nga administrata e Presidentit Biden për një paketë të re ndihme ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin edhe sistemin e avancuar të raketave “Patriot”. Zelenski tha se ndihma e ShBA-ve është “hap shumë i rëndësishëm” për të krijuar hapësirë të sigurt ajrore, sepse konflikti sipas tij, nuk rrezikon vetëm Ukrainën, por vë në provë demokracitë në mbarë botën.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të krijuar hapësirën ajrore të sigurt për Ukrainën dhe do të jetë e vetmja mënyrë për të privuar vendin terrorist për të goditur sektorin tonë të energjisë, njerëzit tanë dhe infrastrukturën tonë. Të gjithë ato dhjetëra miliarda dollarë dhe ndihma amerikane për Ukrainën nuk janë bëmirësi, por një investim për sigurinë globale.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që Ukraina mund të “mbrojë vendin e vet kundër agresioneve të Rusisë për aq kohë sa duhet.
“Do të duhet pak kohë për të përfunduar trajnimin e nevojshëm për të operuar sistemin, por raketat “Patriot” do të jenë një “aset kritik” për mbrojtjen e Ukrainës. Ne do ta mbështesim Ukrainën derisa të fitojë lirinë e saj.”, - deklaroi presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
Fjalimi i tij para ligjvënësve amerikanë ishte pjesë e një vizite të shkurtër e sfiduese në kohë lufte, me synim për të falënderuar udhëheqësit e vendit për mbështetjen që i kanë dhënë Ukrainës, në luftën kundër Rusisë.
Rusia për vizitën e Zelenskit: ShBA dhe Ukraina, nuk përpiqen për paqen
Rusia ndjek vizitën e Zelenskit në Shtëpinë e Bardhë dhe pretendon se ShBA dhe Ukraina nuk përpiqen për paqe, por ata thjesht duan të vazhdojnë armiqësitë.
“A keni dëgjuar ndonjë gjë për dialogun, negociatat, kontaktet me Rusinë, me Moskën? Sigurisht që jo. Zelensky përsëri publikisht, në një mënyrë të çuditshme flet për Rusinë. Edhe pronarët e tij ende ia lejuan vetes këtë, edhe pse kishte tentativa. Me sa duket Zelensky nuk ka asgjë për të thënë, ai mund të jetë vetëm i vrazhdë.”, - u shpreh zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Zelenskyy vizitoi Shtetet e Bashkuara, ky ishte udhëtimi i tij i parë jashtë Ukrainës që nga 24 shkurti. Ai zhvilloi një takim me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit Biden u zotua të dorëzojë një sistem baterie raketore tokë-ajër “Patriot”, që ishte kërkuar më parë nga Ukraina.
FARIJE DAUTI BAKIJU
