Maqedoni

Ahmeti në fjalimin e fundvitit: Front për Maqedoninë evropiane

22.12.2022 17:19

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti fton subjektet politike në unitet për të vazhduar procesin integrues në Unionin Evropian...

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti fton subjektet politike në unitet për të vazhduar procesin integrues në Unionin Evropian, madje propozoi krijimin e një fronti të përbashkët proevropian. Theksoi se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Unionin Evropian dhe se të gjithë së bashku duhet të angazhohen në plotësimin e kushteve dhe zbatimin e reformave të domosdoshme. Veçoi nevojën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar në preambul.
 
“Të mendojmë më shumë për krijimin  e një fronti për Maqedoninë evropiane, jo të parcializohemi dhe të ndahemi në shqiptarë dhe maqedonas por të marrim guxim dhe ta heqim frikën prej  njëri-tjetrit. Ky front duhet ndërtuar dhe unë bashkë me ju kemi të drejtë morale e kombëtare që këtë thirrje dhe apel ta bëjmë për partitë politike. Ky është moment historik. Ndryshimi i kushtetutës ne na hap rrugë drejt anëtarësimit në BE. Ky është një moment legjitimimi edhe ndërkombëtar i kombit maqedonas, i bashkëqytetarëve tanë.”, - u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Ahmeti: Të punojmë për veting të mirëfilltë
 
Në fjalimin e fundvitit kreu i BDI-së, veçoi nevojën për luftën kundër krimit dhe korrupsionit përmes vetingut dhe angazhimit të shoqërisë në përgjithësi. Domosdoshmëri kjo për rritjen e cilësisë së  jetesës në vend dhe pengimin e emigracionit.  
 
“Me sinqeritet të punojmë që të kemi një veting të mirëfilltë. Sundimi i ligjit, shteti juridik,  është domosdoshmëri që ne duhet ta bëjmë funksionale dhe kjo përgjegjësi nuk është vetëm e BDI-së, por është e të gjitha subjekteve politike, është e shoqërisë civile, është detyrë e përhershme e mediave. Tani duhet të përkushtohemi te cilësia. Te cilësia në arsim, te cilësia në shëndetësi, tek cilësia në infrastrukturë.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Ahmeti përsëriti qëndrimin se vendi është para sfidave të mëdha dhe se vendi ka nevojë për bashkëpunim më të madh politik si mes partive politike shqiptare mes veti, por edhe me partitë maqedonase në përgjithësi. “E ardhmja kërkon më shumë energji dhe më shumë misionarë që sigurojnë ardhmëri të sigurt.”, theksoi Ahmeti në fjalimin e fundvitit.  
 
SHPËTIM NUREDINI