Maqedoni
Aktgjykimi i Gjykatës së Parisit, Andonov: Po analizohet nga ekipi juridik i qeverisë
22.12.2022 18:00
Aktgjykimi i Gjykatës së arbitrazhit në Paris, me të cilin Maqedonia e Veriut do të duhet të paguajë dëmshpërblim për kontratën me OKTA....

Aktgjykimi i Gjykatës së arbitrazhit në Paris, me të cilin Maqedonia e Veriut do të duhet të paguajë dëmshpërblim për kontratën me OKTA, ka arritur në Qeveri dy-tre ditë më parë dhe aktualisht është duke u shqyrtuar dhe analizuar nga ekipi juridik i angazhuar nga Qeveria.
“Ekipi juridik, i cili është i punësuar nga Qeveria dhe na përfaqëson, përkatësisht “Dehert” nga Franca, shqyrton dhe analizon aktgjykimin. Pas përfundimit të këtij procesi, së bashku me trupin koordinues që është përgjegjës për procedurën e arbitrazhit, do t'i propozojnë qeverisë hapat e duhura që do të ndërmerren në lidhje me shpalljen e aktgjykimit.”, - deklaroi këshilltari për energjetikë, Viktor Andonov.
Siç theksoi ai, me vendimin e miratuar është përgjysmuar shuma e dëmit të kërkuar nga kompania greke.
“Kërkesa totale për dëmshpërblim kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me kamatat për periudhën 2008-2011 kap shumën prej 42 milionë e 646 mijë euro. Sipas aktgjykimit, kërkesa për dëmshpërblim e dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris është 50 për qind më e ulët se kërkesa fillestare, gjegjësisht kërkesa e dhënë nga gjykata arrin në 21 milionë e 478 mijë e 799 euro, që do të thotë se ekipi ynë ligjor luftoi që të përgjysmohej shuma e kërkuar.”, - u shpreh këshilltari për energjetikë, Viktor Andonov.
Bëhet fjalë për një proces në të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut është palë e paditur për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve që dalin nga marrëveshja e shitblerjes së rafinerisë “OKTA” e lidhur në vitin 1999. I pyetur për njoftimet nga pala greke se këto mjete do të investohen në tubacionin e naftës Selanik-Shkup, këshilltari i kryeministrit tha se për momentin nuk po diskutohet për këtë.
ERSAN PAJAZITI
GAZETAR:
ERSAN PAJAZITI
