Sveçla: Kemi kapacitete për t’i larguar barrikadat
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla....

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se institucionet i kanë të gjitha kapacitetet që t’i largojnë barrikadat e vendosura në veri tashmë 13 ditë.
Ai ka thënë se mënyra më e mirë është që largimi i tyre të bëhet nga vetë ata që i kanë vendosur.
Sveçla, ka thënë se po presin që sa më parë të ketë veprime nga KFOR-i për heqjen e tyre.
“Mënyra më e mirë është largimi i tyre nga ata që e kanë vendosur, por më duhet të theksoj që ne kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e këtyre barrikadave. Për shkak të situatës jemi në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar dhe presim sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë apo mund të themi se është rënduar dhe po presim që sa më shpejtë ato të largohen, e nëse kjo nuk ndodhë patjetër se ne kemi kapacitete të nevojshme për ta bërë vetë”, - vazhdoi ai.
Për shkak të këtyre barrikadave të vendosura tash e gati dy javë, Sveçla tha se ish-zyrtari policor Pantiq i akuzuar për kryerjen e veprave terroriste po vazhdon të mbahet në stacionin policor në afërsi të kufirit në Jarinjë, për çka tha se për transferimin e tij kanë adresuar kërkesë tek partnerët ndërkombëtarë.
“Mu për shkak të barrikadave dhe bllokimit të rrugëve dhe lirisë së lëvizjes, ai po mbahet në stacionin policor në afërsi të kufirit në Jarinjë. Është diskutuar shumë për mbajtjen dhe gjendjen shëndetësore të tashmë të ndaluarin Dejan Pantiq. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur, por pa dyshim që ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacion policor. Lidhur me këtë rast, ne kemi adresuar kërkesën tonë tek partnerët tanë për transferimin e tij në objektet adekuate që të vazhdojë paraburgimin dhe procedurat e mëtutjeshme. Prandaj, për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë. Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt”, tha ai.
Sveçla tha se barrikadat në veri të vendit janë praktikë e njohur për të gjithë e ato po organizohen nga grupe të ndryshme kriminale të armatosura e po mbahen nga qytetarët që po kërcënohen nga strukturat kriminale të orkestruara nga Beogradi.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të mos bien pre e presioneve dhe shantazheve të Beogradit. Barrikadat tashmë kanë humbur arsyen me të cilën ata i patën ngritur e që asnjëherë nuk ka qëndruar. I vetmi qëllim i tyre është bllokimi i veprimeve ligjore të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sveçla tha se rreth barrikadave çdo ditë po dalin kërkesa të reja të shtyra nga Serbia për arritjen e qëllimeve të tyre politike.
