Ahmeti – Ludva: Të ruhet konzistenca proeuropiane e veprimit

23.12.2022 13:26

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.....

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Çeke në vend, Jaroslav Ludva.

Ahmeti dhe Ludva kanë bashkëbiseduar rreth bashkëpunimin konstruktiv ndërshtetëror, situatën aktuale politike në vend, progresin që vendi ka shënuar në procesin e eurointegrimit, rëndësinë e kompaktësisë vepruese të faktorit politik në vend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, zbatimin e procesit të domosdoshëm të reformave dhe luftën kundër krimit dhe korrupcionit.

Ahmeti me këtë rast falënderoi Republikën Çeke që çdoherë ka qëndruar në përkrahje të perspektivës europiane të vendit dhe ka kërkuar vazhdimësinë e këtij qëndrimi në proceset vendimtare që pasojnë.

Ai, mes tjerash, ka potencuar se Bashkimi Demokratik për Integrim me të gjithë potencialin e saj kadrovik dhe programor mbetet e angazhuar që të ruhet konzistenca proeuropiane e veprimit, të miratohen ndryshimet kushtetuese që përforcojnë konsensualitetin e brendshëm demokratik dhe të përforcohen edhe më tej raportet e fqinjësisë së mirë.

Shumica proeuropiane në vend është e gatshme të aplikojë të gjitha mekanizmat e domosdoshme për zbatimin e procesit të reformave konform kornizës së integrimit dhe të përforcohet lufta kundër krimit dhe korrupcionit.

Ahmeti i shprehu ambasadorit Ludva qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim për zbatimin e një procesi të mirëfilltë vettingu ndaj të gjithë politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të dikurshëm, të tanishëm dhe të ardhshëm, si procesi i vetëm i filtrimit objektiv dhe ruajtjes së kredibilitetit të institucioneve.

Ambasadori Ludva shprehu qëndrimin e Republikës Çeke për vazhdimin e mbështetjes së vendit deri në finalizimin e plotë të aspiratës së integrimit në Bashkimin Europian.