Botë
Stuhi bore në ShBA dhe Japoni, 8 të vdekur
23.12.2022 14:47
Tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e reshjeve të dëborës në Japoni e cila ka kapluar rajone të tëra përgjatë Detit të Japonisë....

Tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e reshjeve të dëborës në Japoni e cila ka kapluar rajone të tëra përgjatë Detit të Japonisë, ndërkohë 45 të tjerë janë lënduar në stuhinë e borës që ka nisur nga e shtuna e javës së kaluar, njofton Agjencia japoneze e menaxhimit të zjarrit dhe fatkeqësive. Shumë familje kanë mbetur pa energji elektrike pasi stuhia ka dëmtuar shtyllat elektrike. Policia në prefekturën Fukui kontrollon automjetet për gomat e dimrit pasi shumë persona janë lënduar nga rrëshqitja e automjeteve duke shkaktuar aksidente trafiku .
"Ju lutemi vendosni gomat e dimrit.", - tha një polic trafiku.
“Një automjet mund të shkaktojë bllokim trafiku në një rrugë me borë. U bëj thirrje shoferëve që vizitojnë prefekturën nga zonat me pak borë që të vendosin gomat e dimrit në automjetet e tyre, sepse shumica e njerëzve janë lënduar në trafik nga rrëshqitja e automjeteve.”, - u shpreh një zyrtar i policisë perfekturale.
Në zonat rurale në Hokkaido të Japonisë bora arriti deri në 1 metër e 61 centimetra. Stacioni i hekurudhave japoneze Sapporo ka pezulluar trenat që lidhen me kryeqytetin e Hokkaido dhe Sapporo.
ShBA, 135 milionë njerëz të ngujuar
Stuhia e fuqishme ka goditur edhe ShBA-të. Temperaturat ekstreme të cilat kanë rënë në -50, detyruan pezullimin e 3.500 fluturimeve, mbylljen shkollave dhe institucioneve. 135 milionë njerëz janë në gjendje alarmi për shkak të stuhisë e cila shtrihet nga Kanadaja deri në brigjet e Meksikës. Presidenti Amerikan Joe Biden, tha se kjo është diçka serioze dhe duhet trajtuar me përgjegjshmëri.
"Moti është ekstrem i ftohtë. Ju mund të shihni në hartë zonat ku temperaturat kanë rënë deri në -50 gradë. Këto janë zona shumë të rrezikshme dhe kërcënuese. Rrymat e stuhisë shkojnë nga Oklahoma deri në Wyoming dhe nga Wyoming në Maine. Kjo mund të këtë pasoja. Ju lutemi t'i kushtoni vëmendje paralajmërimeve lokale, nëse keni plane udhëtimi, ndaloni, sepse kjo nuk është shaka. Deri tani kemi kontaktuar 26 guvernatorë në rajonet e prekura. Nuk është vetëm borë, por kjo është diçka serioze.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Joe Biden.
Rrymat e ftohta vijnë nga Arktiku dhe pritet që t’i ulin temperaturat deri në minus 55 gradë. Sinoptikanët thonë se kjo është një ndër stuhitë më të ftohta që ka përfshirë ndonjëherë Shtetet e Bashkuara.
FARIJE DAUTI BAKIJU
