Maqedoni

Alarmi i rremë për bombë në Kavadar, Spasovski: I dyshuar një adoleshent

23.12.2022 15:46

Zbardhet rasti në lidhje me paralajmërimet anonime për vendosjen e bombave në disa shkolla të Kavadarit...

Zbardhet rasti në lidhje me paralajmërimet anonime për vendosjen e bombave në disa shkolla të Kavadarit, të cilat nëpërmjet adresave elektronike janë marrë dy javë më parë. Policia ka ngritur kallëzim penal ndërsa i dyshuar është një adoleshent, theksoi ministri Spasovski. Por, nga ana tjetër MPB akoma nuk ka detaje konkrete lidhur me paralajmërimet e mjeteve shpërthyese në shkolla, qendra tregtare dhe objekte tjera në Shkup.
 
“Lidhur me këtë çështje të vendosjes apo të kërcënimeve për bomba të vendosura në Kavadar, e cila natyrisht ka shqetësuar qytetarët, mund të them se rasti është zbardhur plotësisht. Sot është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike përkatëse, është zbuluar autori dhe është mbyllur rasti.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
Ky është kallëzimi i dytë për paralajmërime të rreme për bomba. Rreth një muaj më parë është ngritur kallëzim penal për terrorizëm ndaj një të mituri nga Shkupi, pasi që kishte dërguar paralajmërim anonim nga kompjuteri i nënës së tij. Derisa vendi është peng i alarmeve të rremë për dy muaj, një ekip i posaçëm ekspertësh duhet të zbulojë dobësitë në infrastrukturën kritike të vendit, e cila mund të jetë cak i sulmeve kibernetike. Ekipi operacional që do të drejtohet nga Byroja e Sigurisë Publike dhe do të ketë përfaqësues të ASK-së, Agjencisë së Inteligjencës dhe sektorit për siguri ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, do të jetë në koordinim me partnerët strategjikë ShBA-të dhe NATO.
 
Ministri Spasovski kërcënimet me bombë i cilëson si shembull klasik i kërcënimeve hibride. Autoritetet thonë se siguria absolutisht nuk është cenuar. Paralajmërimet e para për bomba të vendosura në shkollat e mesme në Shkup u evidentuan më 26 Tetor.
 
LEUNORA KALIQI