Kongresi i ASh-së, Aliti: Intensifikohet veprimi proevropian

23.12.2022 15:56

Aleanca për Shqiptarët...

Aleanca për Shqiptarët, në kongresin e partisë përpos konfirmimit të Arben Taravarit për kryetar, si kandidat kryesor pas dorëheqjes së Ziadin Selës, pritet të ndryshojnë edhe kursin e tyre politik, vlerëson analisti politik Faton Aliti.

Sipas tij, partia pas kongresit në krye me Taravarin mund t’i bashkangjitet frontit proevropian duke intensifikuar veprimin në përmbushjen e kërkesave të BE-së për ndryshimet kushtetuese.

“Besoj se ato dallimet e brendshme që duket se i kishin, ndoshta mund t’i kenë tejkaluar, por kjo më mirë do të duket në periudhën që vjen. Por, më e rëndësishme mendoj se është që ato të bashkëngjiten në njëfarë mënyre në këtë frontin proevropian ta themi, sepse jemi në një periudhë shumë delikate të procesit eurointegrues duke pasur parasysh edhe opstrukcionet e ndryshme që bëhen nga partitë politike, mediat e kështu me radhë.”,  - u shpreh analisti politik, Faton Aliti.

Aliti: Partia mund t’i bashkangjitet qeverisë

Aliti konsideron se bashkëngjitja mund të bëhet me inkuadrimin e tyre në qeveri, duke marrë përgjegjësitë e caktuara institucionale, pasi Taravari kishte takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, por që asnjëri nuk pohoi e as mohoi përfshirjen e ASh-së në qeveri.

“Edhe pse ata mund të përkrahin procesin eurointegrues edhe jashtë qeverisë, por besoj se do të ishte më mirë që të merren edhe përgjegjësitë direkt në proces dhe shpresoj të ndodh një gjë e tillë, në të mirën e të gjithëve, sepse qëndrimi jashtë dhe përkrahja e procesit lë hapësirë për të interpretuar në mënyra të ndryshme atë veprim, sepse mosqenia pjesë e institucionit nuk është edhe marrje e përgjegjësisë në plotësinë e vet.”, - theksoi analisti politik, Faton Aliti.

Kongresi i ASh-së mbahet pas dorëheqjes së ish-kryetarit të partisë Ziadin Sela, i cili ishte kryetari i vetëm i partisë që nga formimi në vitin 2018-të.

Sela u dorëhoq në gusht të këtij viti, pas disfatës që Aleanca për Shqiptarët e pësoi në zgjedhjet e 20 gushtit në Tetovë. (Meral Ismaili, TVM2)