Kovaçevski: Ngrohje dhe gaz do të ketë edhe pas një janarit
Ngrohja për qytetarët dhe gazi për kompanitë...

Ngrohja për qytetarët dhe gazi për kompanitë do të jetë në dispozicion edhe pas 1 janarit, ndonëse “Makpetrol” njoftoi se nuk do të importojë më gaz natyror për përdoruesit e tij.
Sipas ligjit, secili që përdor gaz është i obliguar të ketë karburant alternativ, pikërisht për shkak të situatave të tilla, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ai tha se në kushte të krizës ekonomike nuk është mirë të punohet me kërcënime, kurse bëri thirrje që të gjithë të sillen me përgjegjësi në këtë situatë.
“Liberalizimi i tregut është i domosdoshëm dhe për atë që një kohë e gjatë është duke u diskutuar dhe ajo është e patjetërsueshme që një ditë do të ndodhë. Ashtu që do ta përsëris që ngrohje për qytetarët do të ketë dhe gaz për kompanitë do të ketë. Për atë qëllim EMV – Shitja publikoi shpallje për mbledhjen e ofertave, të cilat do të kenë mundësi të porosisin dhe të sigurojnë sasi të caktuara të gazit natyror për prodhimin e energjisë termike në ngrohtoret dhe për konsumatorët tjerë të gazit natyror në shtet.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Makpetrol”: Mos importimi i gazit nuk është shantazh
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit kanë reaguar nga kompania Makpetrol nga ku thonë se vendimi i tyre për të mos importuar gaz nuk është bërë me qëllim që të shantazhojë, por si rezultat i kalkulimeve financiare.
“Njoftimi që kompania nuk do të importojë gaz nga 1 janari është pasojë i vendimit të nxituar për ndryshimin e rregullave të tregut me gazin natyror. Nuk bëhet fjalë për shantazh, por për një zgjidhje të justifikuar ekonomikisht për të shmangur gjenerimin e humbjeve dhe borxheve të mëdha që kompanitë importuese të gazit nuk do të mund t'i mbledhin kurrë sepse konsumatorët e kësaj energjie nuk do të mund t'i paguajnë.”, - thanë nga “Makpetroli.”
Paraprakisht edhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në një televizion kombëtar kishte theksuar se “Makpetrol” tash e 21 vjet ka monopolin e furnizimit me gaz në vend, por koha e monopoleve ka mbaruar dhe tregu duhet liberalizuar. Këtë deklaratë e demantojnë nga “Makpetrol”, nga ku thonë se mbi 40 kompani në vend kanë licenca për import të gazit natyror. (Ersan Pajaziti, TVM2)
