Maqedoni

ITShKSh – ja organizoi ceremoni për krishtlindje në Shkup, lërkohet mbajtja e meshës në gjuhën shqipe

23.12.2022 16:49

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me rastin e krishtlindjeve organizoi ceremoni solemne...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me rastin e krishtlindjeve organizoi ceremoni solemne për të kujtuar një traditë që dikur ishte pjesë e jetës urbane në Shkupin e Pjetër Bogdanit, Nënës Terezës dhe Gaspër Gjinit. Me këtë rast të pranishmit theksuan nevojën e rikthimit të meshës katolike në gjuhën shqipe në Shkup.
 
“Një përpjekje modeste në rikthimin e këtij shkëlqimi po bëjmë edhe ne si Institut, bashkë me departamentin për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Terezë, duke sjellë në vëmendje nevojën për rigjallërimin e komunitetit katolik shqiptar në Shkup, proces ky që duhet të fillojë me rikthimin e meshës në gjuhën shqipe një kërkesë kjo e jona e kahershme dhe veprimet tjera përcjellëse që do ta bënin këtë komunitet të dinjitetshëm të gjitha pikëpamjet e saj.”, - deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
“E kemi filluar iniciativën dhe unë dua të apeloj që të organizohemi vitin e ardhshëm të bëjmë një strategji të caktuar dhe të fillojmë të kemi edhe ne meshën në gjuhën shqipe.”, - u shpreh gazetarja Diana Toska.
 
“Shpeshherë, fatkeqësisht, njerëzimin e udhëheq urrejtja e jo falja dhe dashuria. Nga ky vend nga Shkupi ynë nga familja Bojaxhiu në veçanti, Kola dhe Dranja nga famullia e zemrës së Krishtit, Gonxhja jonë e mësoi artin e dashurisë.”, - theksoi përfaqësuesi i Ipeshkvisë nga Kosova, Don Lush Gjergji.
 
Nga ky institut thonë se do të vazhdojnë të mbeten një adresë e kauzave dhe ideve që shoqërisë sonë do t’i sjellin sensin e të kuptuarit të tjetrit me gjuhën njerëzore të dashurisë dhe respektit.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI