Maqedoni
Ndotja e ajrit arrin kulmin në Shkup, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë
24.12.2022 17:48
Ndotja e ajrit thyen rekorde në metropol, pothuajse të gjitha komunat e Shkupit...

Ndotja e ajrit thyen rekorde në metropol, pothuajse të gjitha komunat e Shkupit e kalojnë pragun e lejuar të grimcave kancerogjene dhe PM10. Ajri I ndotur aktiv wshtw në Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë. Pas dy ditëve radhazi të ajrit jashtëzakonisht të ndotur, kanë mbërritur rekomandimet nga institucionet kompetente.
Gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë pritet të lirohen nga detyrat e punës, të riorganizohet orari i punës për shkak të ndotjes së lartë të ajri. Qeveria detyron institucionet shtetërore të reduktojnë me 50% përdorimin e automjeteve zyrtare dhe të kufizojnë punën e objekteve të ndërtimit. Qytetarët ankohen se kanë vështirësi në frymëmarrje, por thonë se detyrat e përditshme duhet të kryhen.
“Është shumë i ndotur. Në mëngjes po shikoja telefonin 340, çfarë të bëjmë. Është e vështirë, kam maskë, e kam të vështirë të marr frymë”, shprehet qytetarja.
“Dal vetëm kur duhet, kur duhet ta marr fëmijën nga shkolla”, theksoi qytetarja.
“I vie era, është shumë e keqe, kemi një problem pas kësaj, kollitje, ftohje”, shprehet qytetarja.
Pasojat e ndotjes së ajrit më së miri monitorohen nga mjekët, thonë se në kombinim me viruset dhe bakteret, ajri i ndotur ua vështirëson edhe më shumë punën. Fëmijët me astmë dhe sëmundje kronike janë ndër pacientët më të shpeshtë në institutin e sëmundjeve pulmonare në Kozle.
“Fëmijët që kanë astmë, që kanë sëmundje kronike, ndotja e ajrit realisht mund të shkaktojë komplikacione të rënda, sidomos fëmijët, po ashtu, riniti alergjik, pastaj laringiti kronik mund të rëndohet në kulmin e ndotjes së ajrit”, thekson mjekja.
Ndotja është e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, prandaj është e nevojshme qëndrimi jashtë qytetit, në ajër të pastër. Mjekët këshillojnë qytetarët që të shmangin qëndrimin në natyrë gjatë kohës që ajri është i ndotur, përveç rasteve kur kjo është absolutisht e nevojshme dhe kjo vlen veçanërisht për fëmijët, më të rrezikuarit dhe të sëmurët kronikë.
Sipas renditjes botërore, edhe këtë dimër Shkupi ishte ndër qytetet më të ndotura në botë, përveç ditëve kur kushtet klimatike pastrojnë ajrin.
SEDAT SELIMI
