Maqedoni
Reformat tatimore, Besimi: Bisedohet për taksë të fitimit shtesë
25.12.2022 17:40
Reformat tatimore nuk kanë të bëjnë vetëm me të ardhurat fiskale...

Reformat tatimore nuk kanë të bëjnë vetëm me të ardhurat fiskale por edhe me strategjinë për reformat tatimore të miratuara nga qeveria në vitin 2020, sqaron ministri i ekonomisë, Fatmir Besimi në një intervistë për Evropën e Lirë.
Duke folur për lirimin nga taksat, në kohën kur shumë vende të Bashkimit Evropian vendosin taksa për kompanitë që kanë realizuar miliona fitime shtesë, e RMV-ja liron nga tatimi kompanitë e vogla që kanë të ardhura deri në tre milionë denarë, thekson ai. Besimi thotë se po bisedohet me odat ekonomike për një taksë të veçantë, të re e cila do të jetë e jashtëzakonshme.
“Diskutimi i cili po zhvillohet tani me odat për tatimin e veçantë të jashtzakonshëm i cili është tatim për fitim shtesë, sipas shembujve të vendeve të tjera. Ka edhe rekomandime nga ana e vendeve anëtare të BE-së, që të shfrytëzohet kjo si një lloj i solidaritetit. Ajo që po diskutojmë tani me dhomat e tregtisë është që në katër vitet e fundit, ato kompani që kanë mbi 10 milionë euro të ardhura vjetore dhe fitimin e tyre gjatë vitit 2022 dhe pjesa që është arritur mbi 20 për qind në katër vitet e fundit do të krahasohen, vetëm ajo pjesë do t’i nënshtrohet taksimit me këtë taksë të re”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi.
VMRO-DPMNE: Godet bizneset e vogla
Por, VMRO DPMNE-ja akuzon qeverinë se me zgjidhjet e propozuara ligjore për reformën tatimore konstatohet se nuk bëhet fjalë për reformë, por për ngarkesa të reja tatimore. Me ndryshimet në ligjin për tatimet mbi fitimin qeveria godet bizneset e vogla duke anuluar lirimin për kompanitë me qarkullim deri në 3 milion denarë të cilat, sipas VMRO-së, janë më të brishta.
“Duke ditur që firmat e vogla janë pjesë e pandashme e ekonomisë, pasojat do të reflektohen edhe tek taksapaguesit e mesëm dhe të mëdhenj. Në një mjedis të tillë, Qeveria i shtyn mikro-tatimpaguesit në buzë të humnerës së zonës gri, të cilat në vend që ta zvogëlojnë atë, duke hequr lirimin nga tatimi në të ardhura deri në 3.000.000 denarë, stimulojnë ekonominë joformale”, theksoi Anastasija Ilieska nga VMRO-DPMNE.
Sipas përllogaritjeve të ministrisë së ekonomisë, baza tatimore propozohet të rritet në dy baza: njëra bazë është reduktimi i ekonomisë gri, për të cilën ka strategji të veçantë dhe aspekti i dytë është duke ulur të ashtuquajturat kosto tatimore ose duke rishikuar listën e përjashtimeve nga taksa.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
