Maqedoni

Besimtarët e krishterë kremtojnë Krishtlindjen

25.12.2022 19:08

Besimtarët e krishterë katolikë, protestanë dhe një pjesë ortodokse në botë festojnë Krishtlindjen...

Besimtarët e krishterë katolikë, protestanë dhe një pjesë ortodokse në botë festojnë Krishtlindjen sipas kalendarit Gregorian, ngjarjen më të rëndësishme në kalendarin e festave të tyre fetare pas Pashkës.
 
Në meshën gjigande në vigjilje të Krishtlindjeve, e cila për herë të parë pas dy vjetësh pandemie u zhvillua në Katedralen e Shën Pjetrit, Papa Françesku e vendosi fokusin tek ndërprerja e konflikteve në botë, tek fëmijet që përpihen nga lufta, varfëria dhe padrejtësia.
 
Papa Françesku me mesazhin se 2000 vite pas lindjes së Krishtit,  njerëzia rrezikon të dijë të vërtetën e lindjes së Krishtit, mes  lakmisë, dhuratave dhe gjërave materiale. Krishti lindi në varfëri për të treguar se ku fshihet pasuria e vërtetë, potencoi papa Françesku.
 
“Të potencojmë se nuk është Krishtlindje e vërtetë pa të varfërit. Jezu Krishti  lindi i varfër. Jetoi dhe vdiq i varfër. Ai nuk ka folur më shumë për varfërinë krahasuar nga çka ka përjetuar, deri në fund, për shkak nesh, nga djepi deri tek kryqi. Ai që ka lindur në djep kërkon besim konkret, të përbërë nga adhurimi dhe mëshira dhe jo nga fjalët e zbrazëta dhe sipërfaqësorja. Mos lejojmë që kjo krishtlindje të kalojë pa bërë diçka të mirë”, u shpreh kreu i kishës katolike romake Papa Françesku.
 
Në këtë festë,  nuk kanë munguar urimet nga politikanët e vendit, Shqipërisë dhe Kosovës. Bëjnë thirrje për solidaritet me të pamundurit dhe reflektim për më shumë mirësi në këto kohë të vështira.
 
Sipas besimit të krishterë, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga Virgjerësha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë. Ajo simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes. Në kishat e lindjes, Krishtlindja festohet më 7 janar, sipas përllogaritjes së kalendarit Julian.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU