Botë

Të shtënat ndaj KFOR, Sveçla: Vijojnë lojërat kriminale të Vuçiç

26.12.2022 09:28

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar ashpër në lidhje me incidentin e fundit...

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar ashpër në lidhje me incidentin e fundit në veri ku u raportuan të shtëna me armë ndaj trupave të KFOR.
 
Për ministrin Sveçla, kjo ngjarje tregoi edhe njëherë vijimin e lojërave kriminale të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
 
“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkruan Sveçla.
 
Ministri përsëriti edhe njëherë qëndrimin për largimin sa më të shpejtë të barrikadave dhe i bëri thirrje autoriteteve serbe që të ndalin mbështetjen për strukturat kriminale që duan të destabilizojnë veriun e Kosovës.
 
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet. Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”, shkroi Sveçla.