Maqedoni
Bekteshi: Mbështetje për kategoritë e cenueshme
26.12.2022 12:18
Sigurimi i stabilitetit energjetik do të jetë prioritet i Ministrisë së ekonomisë për vitin e ardhshëm.....

Sigurimi i stabilitetit energjetik do të jetë prioritet i Ministrisë së ekonomisë për vitin e ardhshëm. Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se gjatë tërë vitit janë ndërmarrë masa për të ndihmuar amvisëritë dhe kompanitë, ndërsa me të njëjtën tempo do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Në vitin 2023 do të ketë mjete për panelet fotovolatike, ndërrimin e dritareve të vjetra, si dhe janë siguruar 3,3 milion euro për interkonektoroin Greqi, Kosovë, Serbi. Që qytetarët me të ardhura të ulëta të kenë fatura më të lira do të ndihmohen edhe kategori të tjera të grupeve të rrezikuara.
“Buxheti i plotë i Ministrisë së ekonomisë pritet të jetë 19 milion euro. Nga mjetet e përgjithshme të dedikuara për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve janë parapara 3.2 milion euro për realizimin e masave për përballje me krizën energjetike. Në pjesën e energjetikës do të realizohet programi për mbrojtjen e konsumatorëve të rrezikuar të energjisë. Edhe në vitin 2023 kjo mbështetje financiare do të jetë për personat me të ardhura të ulëta. Ky program do të zgjerohet duke përfshirë kategori të tjerë të personave siç janë: shfrytëzuesit e së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, prindër të vetëm të cilët nuk janë të regjistruar si përfitues të ndihmës minimale të garantuar, si dhe shfrytëzues të së drejtës për kompensim të dëmit fizik.”, - deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Sa i përket uljes së çmimeve Bekteshi thotë se ajo po zhvillohet në kuadër të pritshmërive të qeverisë prej 7 deri 13 %, ndërsa nga janari pritet ulje e radhës. Masa për ngrirjen e marzhave do të vlejë deri në fund të muajit prill.
“Për muajin janar po bëhen përllogaritjet si nga kompanitë ashtu edhe nga odat ekonomike dhe presim ulje shtesë. Se sa do të jetë, ne do t'ju informojmë në kohën e duhur pasi të kemi përfunduar konsultimet.”, - theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Sa i përket furnizimit me gaz Bekteshi tha se janë në pritje të ofertave dhe nga 1 janari do të ketë gaz për qytetarët, industrinë dhe institucionet, por jo sikur 30 vitet e fundit kur ka pasur vetëm një furnizues.
GAZMEND KURTISHI
