Botë
Koreja e Veriut nis dronët në Seul! Jugu gati helikopterët sulmues
26.12.2022 14:00
Pesë dronë të Koresë së Veriut kaluan në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut të hënën...

Pesë dronë të Koresë së Veriut kaluan në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut të hënën, duke bërë që ushtria e këtyre të fundit të vendosë në gatishmëri avionë luftarakë dhe helikopterë sulmues.
Ministria e mbrojtjes tha se ushtria e Koresë së Jugut qëlloi në drejtim të dronëve, por ende nuk mund të konfirmonte nëse ndonjë dron ishte rrëzuar.
Lee Seung-oh, një zyrtar i mbrojtjes i Koresë së Jugut, tha se një nga dronët fluturoi mbi hapësirën ajrore të kryeqytetit Seul.
“Ky është një provokim i qartë dhe një pushtim i hapësirës sonë ajrore nga Koreja e Veriut”, tha Lee gjatë një konference. Në përgjigje të shkeljes së hapësirës ajrore, tha ai, ushtria e Koresë së Jugut dërgoi mjetet e saj të zbulimit me pilot dhe pa pilot në rajonin kufitar ndër-korean, me disa prej tyre duke kaluar në territorin e Koresë së Veriut.
Ushtria e Koresë së Jugut i pikasi për herë të parë dronët në qiell pranë qytetit veriperëndimor të Gimpo rreth orës 10:25 të mëngjesit me orën lokale të hënën, sipas ministrisë së mbrojtjes së vendit.
Hera e fundit që një dron i Koresë së Veriut u zbulua nën kufirin ndërkorean ishte në vitin 2017. Në atë kohë, Koreja e Jugut tha se kishte gjetur një dron të rrëzuar të Koresë së Veriut që po spiunonte një sistem raketor të ndërtuar nga SHBA në vend.Koreja e Veriut ka rritur në mënyrë agresive testet e saj raketore këtë vit, duke lëshuar shpesh armë të shumta në të njëjtën kohë. Ajo ka lëshuar raketa në 36 ditë të ndara – shifra më e lartë vjetore që kur Kim Jong Un mori pushtetin në vitin 2012.
