Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Osmani: Javën që vjen nisin bisedimet

26.12.2022 14:55

Intensifikim i aktiviteteve për ndryshimet kushtetuese javën që vjen, paralajmëron ministri për punë të jashtme Bujar Osmani....

Intensifikim i aktiviteteve për ndryshimet kushtetuese javën që vjen, paralajmëron ministri për punë të jashtme Bujar Osmani. Ministri në takimin e fundvitit me gazetarë, optimist se do të sigurohen 80 vota për të miratuar fillimisht nevojën për ndryshimet, edhe përkundër kundërshtimeve të opozitës maqedonase dhe së fundmi kushtëzimet me zgjedhje të kryetarit të Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami. 
 
“Ju shihni mbi 75%, 80% e njerëzve janë pro integrimit në BE. E kuptoj që tani në këtë proces i cili duan të përfitojnë politikisht, por besoj që është deklaratë fatkeqe, se nuk besoj që askush do rrezikon të ardhmen e vet politike duke dalë në kundërshtim me atë që populli e pret nga ne si politikanë, por edhe që e kemi si pritje nga partnerët tanë strategjik.”, - tha ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani.
 
Eurointegrimi, Osmani: Opozita të kyçet në procesin e bisedimeve
 
Osmani deklaron se çështjet historike s’do të bllokojnë procesin integrues edhe përkundër ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij nuk ekziston alternativë tjetër përpos BE-së, që mund t’u ofrojnë qytetarëve për një të ardhme të sigurt, andaj edhe nisjen e skriningut, sikurse edhe etablimin ndërkombëtarë të gjuhës maqedonase i vlerëson si të arritura historike në planin e jashtëm të vendit për vitin që po lëmë pas. Osmani fton opozitën që të përfshihet plotësisht në bisedimet me BE-në.
 
“Natyrisht se në ato grupe të punës opozita është e përfshirë nëpërmjet komitetit për bashkim evropian që është në parlament, mirëpo unë inkurajoj që të futen në çdo strukturë negociuese, të jenë edhe përfaqësues të opozitës për shkak se edhe negociatat do të zgjasin aq shumë sa që do të tejkalojnë mandatet e një partie politike.”, - u shpreh ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani. 
 
As hapja e klubeve bullgare, sipas Osmanit s’do ta mposht rezistencën e brendshme për të avancuar procesin integrues, pasi që sipas tij kjo u vlerësua lartë edhe në raportin e BE-së. Ministri për vitin që po lëmë pas vlerësoi edhe avancimin e raporteve me fqinjët, “Ballkanin e Hapur”, por pa anashkaluar edhe procesin e Berlinit si dhe rreshtimin krah forcave pro demokratike kundrejt luftës në Ukrainë. Në vitin 2023, vendi do të kryesojë me dy platforma, Kartën e Adriatikut si dhe kryesimin e procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore.
 
MERAL ISMAILI