Kovaçevski: Nuk pranoj shantazh për çështjet strategjike

26.12.2022 15:14

Shantazhet dhe presionet për çështjet strategjike....

Shantazhet dhe presionet për çështjet strategjike dhe shtetërore janë të papranueshme, thotë kryeministri, Dimitar Kovaçevski, duke komentuar kërkesën e lëvizjes “BESA” për zgjedhje të parakohshme parlamentare si kusht për të dhënë mbështetje për ndryshimet kushtetuese.

Kovaçevski tha se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, sepse çështja e ndryshimeve kushtetuese është serioze, negociatat me BE-në kanë filluar, procesi i skriningut është duke u zhvilluar dhe tani ka nevojë për konsensus politik.

“Nuk dua të besoj se Kasami e vendos veten në pozitën e pengut nga partia e Majta. Ripërsëris edhe një herë se do të ketë një numër të madh të vendimeve që duhet të sillen në Kuvend. Nuk është ky vendimi i fundit. Dhe kushtëzimi i këtyre vendimeve që janë të rëndësishme për gjeneratën e tanishme dhe të ardhshme për të jetuar në BE, për të jetuar ne Bashkimin Evropian e cila është bashkësi e shteteve ku ka prosperitet, drejtësi sociale dhe demokraci, është një pengesë për të ardhmen e vendit.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

VMRO-DPMNE: Zgjedhjet e parakohshme të pashmangshme

E përderisa social-demokratët në pushtet nuk mendojnë për zgjedhje të parakohshme, VMRO-DPMNE-ja opozitare mbështet të gjitha llojet e iniciativave që do të rrëzojnë pushtetin aktual.

Nënkryetari i partisë, Misajlovski, thotë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme këtë vit, sepse gjendja ekonomike, korrupsioni dhe krimi janë alarmante.

“Më së miri është që Kovaçevski vetë të tërhiqet dhe mos të rrezikojë më tej shtetin. Në vend që t’i shërbej BDI-së do të ishte mirë që të filloj t’i shërbej popullit. Do të thoja është e pashmangshme që vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje dhe kjo do të ndodhë.”, - theksoi nënkryetari i VMRO-DPMNE – së, Vlado Misajlovski.                               

Këto reagime vijnë pasi kryetari i Lëvizjes “BESA”, Kasami, bëri të ditur se deputetët e kësaj partie nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese nëse nuk ka dakordim për zgjedhje të parakohëshme.

Kasami kërkon që partitë të ulen në tryezë dhe të arrijnë një konsensus për çështjet kryesore dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. (Sanije Duraku, TVM2)