Maqedoni

Kërcënime të rreme për bomba në shkolla, përfshihet Shkupi, Tetova, Manastiri dhe Struga

26.12.2022 16:04

Në shkollat fillore dhe të mesme të Shkupit, Tetovës, Manastirit, Prilepit, Podgorcë të Strugës...

Në shkollat fillore dhe të mesme të Shkupit, Tetovës, Manastirit, Prilepit, Podgorcë të Strugës, sërish kanë arritur kërcënime të rreme  për vendosje të bombave. Pas denoncimeve, njësiti anti-terror pranë MPB-së mori masa për evakuimin e sigurt të kuadrit arsimor dhe nxënësve. Pre e kërcënuesve kësaj radhe janë edhe dy shkolla fillore në Tetovë. Pas hetimeve u konstatua se bëhet fjalë për kërcënime të rreme.
 
“Kanë dalë të gjithë nxënësit nga ambientet e shkollës dhe nuk kanë qenë të lajmëruar se kemi një paralajmërim për bombë, por se do të bëhet dezinfektimi i shkollës dhe nuk duhet të qëndrojnë në ambientet e shkollës.”, - u shpreh  drejtoresha e Sh. F. “LIRIA” – Tetovë, Mamudije Ameti.
                                                                                  
“Lusim të gjithë qytetarët që të mos të krijojmë panik në situata të tilla, sepse në komunikim me organet e sigurisë kombëtare një kohë të gjatë sektori për arsim përcjellë në bazë ditore zhvillimet në shkolla dhe deri tash nuk ka pasur ndonjë informatë e cila  mund të jetë shqetësuese.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Billall Kasami.
 
Spasovski: Lufta e sulmeve hibride sfidë edhe për vitin 2023
 
Përmes këmbimit të dhënave me vendet fqinje Interpol, Evropolin është konstatuar se teksti i e-maileve tek ne dhe disa vende fqinje është i njëjtë, bëri të ditur ministri i brendshëm Spasovski, duke shtuar se hetimet do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.
 
“Kreatorët e këtyre luftërave hibride falë angazhimit dhe informimit të shpejtë dhe në kohë edhe të  mediave,  nuk realizuan qëllimin e tyre që të shkaktojnë frikë dhe panik tek qytetarët. Andaj kjo do të mbetet sfidë edhe për vitin 2023.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
MPB deri më tani ka parashtruar dy padi penale për dy të mitur, të cilët kanë dërguar e-maile me përmbajtje kërcënuese. Personat në fjalë do të ndiqen për kryerje të veprës penale terrorizëm.
 
FLUTURA LATIFI