Maqedoni

KKRE: Nga 1 janari, rryma do të shtrenjtohet

26.12.2022 17:12

Tri kompanitë energjetike kanë dorëzuar kërkesat e tyre në Komisionin Rregullator për Energjetikë...

Tri kompanitë energjetike kanë dorëzuar kërkesat e tyre në Komisionin Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE) për çmimin e energjisë elektrike në tregun e rregulluar pas 1 janarit të vitit të ardhshëm.
 
ShA “MEPSO” kërkon rritje të çmimit për transmetimin e energjisë elektrike për 29,75 për qind, “EVN Elektrodistribuimi” kërkon ulje të shërbimit për shpërndarje të energjisë elektrike për 2,8 për qind, ndërsa furnizuesi universal “EVN Houm” kërkon rritje të çmimit për pesë për qind për furnizimin me energji elektrike.  Nëse do të rritet, apo jo çmimi i energjisë elektrike nga 1 janari, kjo varet prej vendimit të KRRE-së.
 
“Nëse kërkesat e cekura pranohen, çmimi mesatar i furnizimit për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë do të rritej për 3,5 deri në 4 për qind dhe rritja e TVSh-së nga 5 në 10 për qind do të kishte ndikim prej 4,72 për qind në koston përfundimtare.”, - tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.
 
Bislimovski, theksoi se tash e tutje mund të konfirmojë se do të ulet kostoja e shpërndarjes së energjisë elektrike.
 
“Në këtë mënyrë do t’u ndihmohet jo vetëm konsumatorëve të vegjël dhe amvisërive, por edhe të gjitha kompanive që janë në tregun e lirë të energjisë elektrike. KRRE i analizon kërkesat. Metodologjia jonë është plotësisht në përputhje me legjislacionin evropian dhe ka një sërë elementësh që ndikojnë në çmimin përfundimtar. Këto janë kryesisht kosto për disbalancat, më tej një faktor korrigjues që kanë të tri kompanitë dhe gjithashtu ka elemente të tjera si kostot e transferuara, kështu që të gjitha këto elemente po i analizojmë këto ditë dhe gjatë kësaj jave në bazë të këtyre analizave do të marrim vendimet përfundimtare.”, - u shpreh kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.
 
Kryetari i KRRE-së bën me dije se struktura dhe kufijtë e bllokut mbeten të njëjta për amvisëritë, ndërsa vendosja e blloqeve për konsumatorët e vegjël shtyhet deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU