Maqedoni

Nuredini: Biomasa, shkaktari më i madh i ndotjes

26.12.2022 18:18

Ditëve të fundit disa qytete të vendit janë përballur me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit...

Ditëve të fundit disa qytete të vendit janë përballur me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Ajri i ndotur vazhdon të jetë në Shkup, Strumicë, Manastir, ndërsa nga lista e qyteteve më të ndotura në vend u hoqën Gostivari, Kërçova dhe Kavadari. Shkaktari më i madh i ndotjes është biomasa thotë ministri i ambientit Naser Nuredini. 
 
“Biomasa është shkaktar më i madh i ndotjes nga 35 deri 40% në Qytetin e Shkupit, pastaj janë automjetet, ato më të vjetrat dhe pastaj vjen sektori i ndërtimit. Kur flasim për biomasën nuk iu referohemi vetëm shtëpive, por edhe objekteve shtetërore dhe të komunave apo lokale. Kemi kërkuar të ndryshohet mënyra e ngrohjes në shkolla, çerdhe, spitale edhe stacionet e policisë, të cilat janë bërë gjatë tërë vitit dhe vazhdojmë me këtë procedurë edhe vitin e ardhshëm.”, - deklaroi ministri i mjedisit jetësorë, Naser Nuredini. 
 
Nuredini njëherit thekson se e kupton krizën ekonomike, por kërkon nga qytetarët më shumë të kujdesen, sepse nëse përdorim materia që janë kancerogjene, së pari ne po ndotim familjet tona.
 
Në qytet ku është tejkaluar pragu i ndotjes Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë u rekomandon të gjithë personave juridik të lirojnë gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt të mëparshëm të miokardit ose goditje në tru, pavarësisht moshës, me rekomandimin e mjekut të familjes, si dhe të riorganizojë orarin e punës dhe personat e jashtëm për të punuar nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Si masë për uljen e ndotjes, Qyteti i Shkupit ka vendosur transportin publik pa pagesë.  
 
GYLTENE SINANI