Këshilli i prokurorëve kërkon më shumë kompetenca, opozita me akuza për punën e këshillit

26.12.2022 17:56

Pas pavarësimit financiar nga janari i vitit të shkuar...

Pas pavarësimit financiar nga janari i vitit të shkuar, Këshilli i Prokurorëve Publik kërkon edhe kompetenca më të mëdha, përkatësisht ndryshimin e Ligjit për Këshill të Prokurorëve Publik si dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurori Publike.

Sipas kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Lolevski ligjet në fuqi orientojnë një pjesë të madhe të kompetencave të kryeprokurorit publik.  

“Ne ende qëndrojmë në atë se ligji i fundit për Prokurori Publike duhet të ndryshohet urgjentisht pasi kështu siç është vënë hierarkia,  subordinimi është koncentruar të një person, përkatësisht te prokurori publik. Ne konsiderojmë se kështu nuk është në regull prandaj propozojmë ndryshime. Por kjo nuk varret ne. Dihet se kush i miraton ligjet, ne vetëm i zbatojmë ato.”, - u shpreh kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Lolevski.

Deputetët e opozitës me vërejtje për punën e Këshillit të Prokurorëve dhe për gjyqësorin në përgjithësi, konsiderojnë se këshilli nuk i kryen funksionet themelore dhe se institucionet e drejtësisë përpiqen t’ia hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës.

“Vetëm se hidhet topi se Prokuroria Publike e ka bërë punën e saj, por problemi është në gjyqësi. Gjykatat thonë se Prokuroria publike nuk jep dëshmi të plota, nuk veprojnë në kohë dhe topi vetëm se hidhet te njëri-tjetri. Prandaj, nëse konsideroni se nuk keni kompetenca që të ndryshoni diçka a konsideroni se ky trup ose të ndryshon ose të zhbëhet.”, - theksoi deputeti i VMRO DPMNE-së, Dejanço Eftimov.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Lolevski, në raportin për vitin 2021 thotë se gjatë kësaj periudhe, ndër të tjera është miratuar Rregullorja për procedimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë së prokurorit publik për shkelje disciplinore të kodit etik si dhe janë zgjedhur pesë prokurorë në Prokurorinë e Lartë në Shkup dhe pesë prokurorë në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)