Gjykata penale ka pranuar propozimin e prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion dhe ka caktuar paraburgim dhe masa sigurie për 9 pjesëtarët e policisë, të arrestuar në pikën kufitare Tabanoc. Ndaj tre personave është caktuar masa e paraburgimit 30 ditorë, 2 të dyshuar në paraburgim prej 8 ditëve, 1 paraburgim shtëpiak dhe ndaj 3 personave janë caktuar masa të kujdesit. Ata ngarkohen për veprat penale,"shoqërim kriminel", "marrjen e mitos", "keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare". Sipas policisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë vepruar në mënyrë aktive në pikën kufitare Tabanoc që nga shtatori i vitit 2020 si bashkim kriminal dhe kanë marrë shpërblime të caktuara monetare, dhurata dhe beneficione nga persona të cilët kanë kaluar kufirin shtetëror.
"Pas hetimeve të komandantit, zëvendëskomandantit dhe 10 zyrtarëve policorë në stacionin policor të vendkalimit kufitar Tabanoc, përfshirë edhe udhëheqësin e turnit, janë siguruar prova materiale për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale dhe gjatë kontrollit aty iu gjetën sende për të cilat ekzistojnë dyshime të bazuara se burojnë nga vepra penale me anë të marrjes së ryshfetit dhe shpërdorimit të pozitës dhe kompetencave zyrtare.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit theksojnë se për këto vepra penale janë të paraparë dënime me burg prej 3 vjet apo dhe dënim më i rëndë.
"I dyshuari i parë fillimisht si udhëheqës i ndërrimit dhe më pas si komandant i stacionit policor ka ndikuar që të shpërndahen 3 të dyshuarit e tjerë në kabina të punës ku ka frekuencë më të madhe të udhëtarëve për hyrje dhe dalje nga vendi. Tre pjesëtarët e policisë që kanë kryer kontrolle të pasaportave kanë pasur për detyrë të kërkojnë dhe marrin shpërblim prej 5, 10, 20 apo 30 euro për veten dhe për të dyshuarin e parë që të kryejnë ndikime zyrtare që nuk kanë guxuar t’i bëjnë të lëshojnë kalimin e kufirit të veturave pa kartonë të gjelbër për hyrje-dalje nga shteti, kanë lëshuar persona që nuk kanë pasur autorizime për automjetet, nuk kanë pasur dokumente të udhëtimit, leje për vozitje apo ndonjë dokument tjetër të detyrueshëm.", njoftojnë nga PNKOK.
Gjatë kontrolleve të kryera janë gjetur gjithsej 16.413 euro në bankënota të ndryshme. Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë gjetur 23 copë municion 9 mm, dhurata dhe sende të tjera që do të përdoren në procedurën penale.
FLORIJE BELULI KAMBERI