Kulturë

Filmi dokumentar “Gjilpëra, kopshti im sekret”, pasqyron jetën dhe veprat e kreatorit Curri

27.12.2022 15:11

“Gjilpëra, kopshti im sekret” është titulluar filmi dokumentar i metrazhit të gjatë i autores Merita Çoçoli Sali...

“Gjilpëra, kopshti im sekret” është titulluar filmi dokumentar i metrazhit të gjatë i autores Merita Çoçoli Sali mbi jetën dhe veprat e kreatorit Izet Curri, i cili iu prezantua artdashësve. Në kuadër të këtij filmi në detaje përshkruhet rrugëtimi i kreatorit Izet Curri nga Shkupi në Francë, krijimtaria e tij e begatshme  në fushën e modës, elani për punë dhe të qenit  kreator ikonë  në Paris. Elani i Izet Currit për punë është frymëzim për të gjitha grupmoshat, potencon autorja e filmit, Merita Çoçoli Sali. 
 
“Ky dokumentar vlen për të gjithë të rinjtë që duan të shohin se si është rruga e suksesit, por edhe për të vjetrit që u tregon të  gjithëve se ky njeri vazhdon të punojë, është kreativ, nuk ndalon. Dita e punës së tij është diku 15 orë, prandaj është  i fuqishëm ky mesazh, shpresoj ta kemi përcjell.”, - u shpreh autorja e filmit dokumentar, “Gjilpëra”, Merita Çoçoli Sali.
 
Kreatori Curri potencon se ka pranuar të realizojë këtë film dokumentar me qëllim që të rinjve t’ua sqarojë se nëse kanë talent dhe janë të përkushtuar, mund të punojnë në çdo cep të botës. 
 
“Unë ju them edhe studentëve të mi që nuk duhet të jetohet me komplekse se jemi shtet i vogël, i varfër, nuk ka rëndësi se kush jeni, çka jeni, a jeni të pasionuar, të talentuar, punëtor për juve ka punë në tërë botën.”, - theksoi kreatori, Izet Curri.
 
Dëshmi për sukseset e institutit “Izet Curri” janë vetë studentët e tij që tani punojnë në shtëpi prestigjioze të modës në Evropë. 
 
“Besoj që çdo student që ka qenë student i profesorit Izet Curri është i aftë të punojë jo vetëm në Paris, por edhe në qytete të tjera të modës dhe kjo më bën shumë krenare që vij nga një shkollë që ma ka mundësuar të punoj në një kryeqendër të modës, siç është Parisi.”, - tha kreatorja e modës, Jehona Kastrati.
 
Për realizimin e filmit për jetën dhe veprën e kreatorit Curri agjencioni i filmit ka siguruar 40 mijë euro. 
 
FLUTURA LATIFI