Botë
Protesta para ambasadës serbe në Tiranë, kërkohet heqja e barrikadave në veri të Kosovës
27.12.2022 18:39
Me pankarta “Hiqni duart nga Kosova” një grup qytetarësh protestuan para ambasadës serbe në Tiranë...

Me pankarta “Hiqni duart nga Kosova” një grup qytetarësh protestuan para ambasadës serbe në Tiranë, si reagim për vendosjen e barrikadave serbe në veri të Kosovës. Në protestën që zgjati disa minuta, protestuesit kërkuan që edhe institucionet shqiptare të mbajnë një qëndrim.
E njëjta kërkesë u përsërit edhe nga opozita shqiptare. Ish-ministri i Mbrojtjes, kreu i republikanëve Fatmir Mediu kërkoi, që nisur nga vendosja e 5.000 trupave serbe në kufirin me Kosovën, Shqipëria të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Shqipëria nuk mund të mbajë këtë pozicion të papranueshëm në lidhje me situatën në Kosovë. Vendosja e mbi 5.000 trupave serbe me gjithë mjetet luftarake është qartësisht agresion ushtarak, e njëjta sjellje si e Rusisë me Ukrainën. Çfarë duhet të ndodhë tjetër që presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Çfarë duhet të presë kryeministri që ta shtrojmë këtë çështje urgjentisht në NATO?”, shkruajti Mediu.
Edhe deputeti demokrat Kreshnik Çollaku shkroi se barrikadat janë një plan i Serbisë për të marrë veriun, ndaj Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë unitet për këtë situatë kërcënuese.
LULJETA NDOKA
