Botë
Mitrovicë e veriut, barrikadë në lagjen e boshnjakëve
27.12.2022 19:01
Në lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut është ngritur një barrikadë më 27 dhjetor...

Në lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut është ngritur një barrikadë më 27 dhjetor. Barrikada është vendosur në afërsi të Shkollës Teknike.
Lagjja e Boshnjakëve është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Poashtu, ka informacione që është ngritur edhe një barrikadë tjetër në vendin e njohur si “Dudin Kërsh” në Zveçan, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i madh incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për televizionin e Bosnjë e Hercegovinës, ka thënë se barrikadat në veri po menaxhohen nga Beogradi zyrtar.
Ndër të tjera, ai ka thënë se nëse KFOR-i nuk është në gjendje, apo “nuk do” t’i largojë ato, atëherë institucionet e Kosovës mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Ndër të tjera, ai foli për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në veri. Ai tha se atje gjendet policia e Kosovës, “më e pranishme se kurrë”, por shtoi se “kemi edhe barrikada”. Ai po ashtu tha se Serbia nuk ka traditë në demonstrata, por vetëm në luftë.
