Botë

Vendoset barrikadë në afërsi të Merdarës, pala serbe mbyll pikë-kalimin kufitar

28.12.2022 09:46

Serbët në veri të Kosovës kanë vendosur një bllokadë të re e cila pengon qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve në pikën kufitare të Merdares....

Në ditën e 19-të nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, pikë-kalimi kufitar në Merdarë është mbyllur për shkak të vendosjes së barrikadave nga pala serbe.

 
Merdarja është një prej pikë-kalimeve kufitare me Serbinë e cila përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova. 
 
“Pikë-kalimi kufitar në Merdarë është i mbyllur për hyrje-dalje për faktin se në Republikën e Serbisë janë vendosur barrikada rreth 2 kilometra nga kufiri në Merdarë. Deri në njoftim tjetër pikë–kalimi kufitar në Merdarë do të jetë e mbyllur. Të shfrytëzohen pikë-kalimet kufitare tjera!”, njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë. 
 
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve në pikat kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe së fundmi në Merdarë, qytetarët do të duhet të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim. 
 
“Bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare Merdarë, e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim. Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare Jarinjë, ”Bërnjak” dhe Merdarë, deri në njoftimin e radhës.”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.