Botë
Lufta në Ukrainë, Rusia vazhdon të sulmojë në lindje të Ukrainës
28.12.2022 11:42
Forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë me zjarr artilerie pozicionet ukrainase përgjatë vijës së kontaktit në lindje...

Forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë me zjarr artilerie pozicionet ukrainase përgjatë vijës së kontaktit në lindje, teksa sulmet janë përqendruar në Bahmut dhe Avdijivka në Donjeck.
Në këto dy qytete po zhvillohen luftimet më të ashpra në muajt e fundit. Rusia sërish ka sulmuar objektivat civile në rajonin jugor dhe në qytetin e Hersonit dhe ka granatuar në Dnipropetrovsk. Trupat ruse kanë kryer 33 sulme me artileri dhe një sulm ajror ndaj pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe civilëve në Herson gjatë 24 orëve të fundit.
Rusia sërish ka granatuar qarkun e Nikopolit në rajonin e Dnipropetrovskit gjatë natës. Shtëpitë e civilëve janë shkatërruar dhe një panel solar në këtë rajon, që ka nevojë për energji elektrike. Rusia për muaj të tërë ka sulmuar me dronë infrastrukturën e energjisë së Ukrainës, duke lënë miliona ukrainas në errësirë dhe në të ftohtë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin në orët e vona të 27 dhjetorit tha se situata në Donbas, që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut , ishte e “vështirë dhe e dhimbshme”. Ai tha se kjo javë do të jetë “e rëndësishme për Ukrainën nga aspekti politik” dhe se një plan veprimi po diskutohet për ushtrinë ukrainase për vitin e ardhshëm dhe për situatën në qytetet e Kreminës dhe Bahmutit, që gjenden në Luhansk dhe Donjeck.
