Maqedoni
Merko: Qyteti u zbukurua, tërheqim turistët
28.12.2022 13:07
Edhe përkundër krizës energjetike dhe kufizimeve që zgjasin tanimë disa muaj...

Edhe përkundër krizës energjetike dhe kufizimeve që zgjasin tanimë disa muaj, qyteti i Strugës u zbukurua për festat e fundvitit. Nga komuna e Strugës thonë se ishte e nevojshme të zbukurohet qyteti për të sjellë një atmosferë festive për qytetarët, mërgimtarët dhe turistët.
“Mendoj se kriza energjetike e ka bërë të vetën, sigurisht duam të kursejmë në atë drejtim prapë në interes të qytetarëve dhe besoj që është e mjaftueshme ajo që e kemi paraparë për këtë vit, ishalla vitet e tjera nuk do të kemi krizë si këtë vit se çmimet janë rritur pesëfish dhe prandaj kemi bërë edhe restrikcione.”, - u shpreh kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Agjencioni për turizëm: Për të tërhequr turistët, duhen oferta serioze
Nga Agjencioni për turizëm thonë se komunat duhet të organizojnë më shumë evente, për të tërhequr sa më shumë turistë, e të mos mjaftohen vetëm me ndriçimin e qytetit apo mbrëmjet që organizojnë restorantet, por kërkojnë edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
“Ohri dhe Struga patjetër që duhet të shkëlqejnë për festat e fundvitit. Nuk duhet të pyesim veten nëse do të ketë mysafirë. Plani duhet të përgatitet në shtator, tetor dhe operatorët turistikë ta ofrojnë në programet e tyre. Ne duhet të ofrojmë shumë më tepër se çmim. Fokusi nuk do të jetë çmimi, por shërbimi. Destinacionet tona nuk janë për turizmin e lirë, por për lloj tjetër të turizmit, para se gjithash duhet të kemi shërbimin dhe të ofrojmë eksperienca që nuk janë të disponueshme në destinacione të tjera.”, - deklaroi drejtori i Agjencionit për turizëm, Ljupço Janevski.
Dy qytetet në brigjet e liqenit të Ohrit janë me veshje festive, por në Strugë as këtë vit nuk do të ketë festë në shesh për Vitin e Ri. Tashmë qyteti është i mbushur me mërgimtarë, këtë fundjavë pritet të vijnë mysafirë të shumtë edhe nga Shqipëria, Greqia e Bullgaria.
ILMIE ZHAKU
