Maqedoni
Prodhuesit të kënaqur nga shitja e duhanit, Nikollovski: Sivjet për herë të parë, pa probleme
28.12.2022 14:29
Ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikolovski, është i kënaqur që sivjet grumbullimi i duhanit jo vetëm që u realizua më herët e pa probleme....

Ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikolovski, është i kënaqur që sivjet grumbullimi i duhanit jo vetëm që u realizua më herët e pa probleme, por u shënua çmimi më i lartë i blerjes dhe sasia më e madhe e grumbulluar e duhanit të klasit të parë. Sipas tij, diçka e tillë nuk ka ndodhur që nga pavarësia e vendit e deri më tani.
“Për herë të parë kemi duhan që arrin çmim rekord prej afro 290 denarë për kilogram, që përafërsisht paraqet një rritje prej 44 për qind nga viti i kaluar, kur kishim çmim mesatar prej 200.44 denarë. I tërë prodhimi i duhanit për vitin 2022 do të grumbullohet dy muaj para skadimit të afatit.”, - u shpreh ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Prodhuesit e duhanit janë të kënaqur nga vlerësimi.
“Prodhimi i sivjetmë ishte më cilësi të lartë dhe me çmime me të larta të blerjes deri më tani. Kompanitë na ofruan çmime korrekte dhe shpresojmë se vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me ritmin e njëjtë.”, - tha kultivuesi i duhanit, Zvonko Ristosvki.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë firmosur gjithsej 29.653 kontrata për prodhimin dhe blerjen e duhanit, që paraqet një rritje prej 7% krahasuar me vitin 2021. Rritje ka edhe në zonat me duhan me 14% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
SAFET ADEMI
