Maqedoni
Korrupsioni, Analistët: Jo vetëm deklarata, por masa konkrete
28.12.2022 14:44
Përveç hapjes së bisedimeve me BE-në, vendit këtë vit nuk i ndodhën gjëra të mira, vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM2....

Përveç hapjes së bisedimeve me BE-në, vendit këtë vit nuk i ndodhën gjëra të mira, vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM2. Vazhdoi ikja e të rinjve, mungojnë tekstet në shkolla, shifrat në ekonomi nuk janë aspak optimiste, e korrupsioni vazhdon të ngufasë shoqërinë. Sipas tyre, nëse qytetarët nuk ngrenë zërin kundër korrupsionit, as presionet ndërkombëtare nuk do të ndikojnë.
“Presionet nga jashtë, ndihmat nga jashtë, ndihma profesionale, institucionale juridike e kështu me radhë mund të bëjnë efekt, mirëpo e dini kujt i nënshtrohen qeveritë, prej atyre që i marrin votat. Domethënë kur të vini presion prej brenda, të dalin lëvizje qytetarësh, shoqata, sektori civil të bëj presion mbi qeverinë që korrupsioni të luftohet jo vetëm deklarativisht, por edhe me masa konkrete.”, - deklaroi profesori universitar, Qani Nuhiju.
“Ajo që është më alarmante sa i përket korrupsionit është edhe anketa e fundit e IRI-t ku e nxjerr një lider të ikur nga drejtësia që ndodhet në Hungari të ketë rejtingun më të madh në shtet. Dhe kjo për mua është diçka tragjike. Për mendimin tim të gjithë liderët aktual, nëse do të kishin përgjegjësi morale do të jepnin dorëheqje menjëherë.”, - u shpreh politikologu, Xhenur Iseni.
Gjyqësori, Analistët: Sistemi kërkon reformë rrënjësore
Lufta ndaj korrupsionit sipas panelistëve është ngushtë e lidhur me gjyqësorin. Ata vlerësojnë se në këtë aspekt nuk është bërë asgjë dhe se urgjentisht nevojitet të fillojnë reformat në gjyqësor.
“Nëse nisemi nga prizma “çfarë kemi mbjellë, do të korrim vitin e ardhshëm”, faktikisht ne nuk do të korrim drejtësi. Këtë vit nuk është bërë asgjë për të përmirësuar këtë gjendje dhe kjo do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Vet lirimi i kokës së përgjimeve të paligjshme nga ana e gjykatës tregon dhe nuk jep shpresë në këtë aspekt.”, - u shpreh më tutje politikologu, Xhenur Iseni.
“Nuk themi se individët janë fajtorë çdoherë, sistemet krijojnë dobësi. Nëse një garniturë nuk funksionon të themi e X gjykatësve atje, apo një institucion tjetër cilindo ta merrni nuk funksionon vazhdimisht, atëherë nuk është çështje e personave, është çështje e sistemit jo-funksional, ndrysho sistemin atëherë.”, - theksoi profesori universitar, Qani Nuhiju.
Pikërisht mos-besueshmëria në gjyqësor, sipas analistëve po ndikon në rritjen e skepticizmit dhe në eksodin masiv të qytetarëve nga vendi.
ERSAN PAJAZITI
