Maqedoni

Çmimet e reja nga 1 janari, KRRE: Ulje për amvisëritë e konsumatorët e vegjël

28.12.2022 15:00

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka publikuar çmimet e reja të cilat do të vlejnë prej 1 janarit për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël....

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka publikuar çmimet e reja të cilat do të vlejnë prej 1 janarit për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Tek amvisëritë çmimi i bllokut të parë do të ulet me  4,11%, e dyta zvogëlohet 2,95%, ndërsa ka rritje tek blloku i tretë me 0,85% dhe i katërti 7,65%.  Edhe pse ka ulje të çmimeve për dy  blloqet e para me  rritjen e  të TVSh-së prej 5 në 10 % qytetarët do të paguajnë pothuajse fatura të njëjta. Çmimi për bllokun e parë do të jetë 7,41 denarë për kilovat orë, për bllokun e dytë 7,84 denarë, për të tretin 8,74 denarë dhe për të katërtin 18,81 denarë, çmime këto pa TVSh.
 
“KRRE ka ulur çmimet në mënyrë që amvisëritë të mos e ndjejnë rritjen e TVSh-së. Për ata që kursejnë, i inkurajojmë të kursejnë më shumë. Nëse familjet vazhdojnë të kursejnë, një përqindje shumë e vogël do të ketë rritje të faturave të  energjisë elektrike. Këto janë masa konkrete që do të ndihmojnë qytetarët për ta përmirësuar standardin e tyre jetësor.”, - u shpreh kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
 
Sa i përket konsumatorëve të vegjël çmimi nga 1 janari zvogëlohet për 20,15 % dhe do të kushtojë 13,73 denarë me tarifën e shtrenjtë, ndërsa ajo e lira 10,78 denarë.
 
“Ky çmim do të vlejë për 70 mijë kompani në vend, kompani të cilat gjatë periudhës së kaluar  u përballen me  rritje të kostos së energjisë elektrike. Kjo është një masë konkrete që do të zvogëlojë shpenzimet e tyre për energji elektrike. Bëhet fjalë për dyqane të vogla, parukeri, berberë, kafene të vogla, kompani që kanë nevojë për këtë ndihmë.”, - theksoi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
 
Gjithashtu ulet edhe çmimi i transmetimit të energjisë elektrike me 8.66%, dhe çmimi i shpërndarjes me 19.54%. Kjo është një ndihmë për kompanitë në tregun e lirë të energjisë elektrike ku shpenzimet e tyre për kyçje dhe rrjetëzim ulen për 20%.
 
GAZMEND KURTISHI