Botë

Kurti: KFOR-it po i mbaron koha për t’i hequr barrikadat

28.12.2022 15:36

Kosova i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë për heqjen e barrikadave në veri...

Kosova i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë për heqjen e barrikadave në veri, të vendosura nga serbët lokalë. Por, kryeministri Albin Kurti thotë se koha e KFOR-it po mbaron dhe misioni nuk po vepron. Ai thotë se Kosova ka kapacitete institucionale të heqë barrikadat vetë,  por   më problem se barrikadat janë njerëzit e armatosur prapa tyre, që kanë mbështetje politike dhe financohen nga Beogradi.
 
“Kemi parë vëmendje edhe angazhim të KFOR-it, por në të njëjtën kohë unë e ritheksoj që Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë kapacitetet për t’i hequr barrikadat që nuk janë barrikada civile që prapa tyre qëndrojnë njerëz të armatosur, që janë problem më i madh se barrikadat. Barrikadat e tilla janë vënë nga ata të cilët janë eksponentët të krimit të organizuar të cilët e kanë mbështetjen politike nga Beogradi dhe financimin prej andej.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Pavarësisht thirrjeve të KFOR-it dhe EULEX-it, barrikadat nuk janë hequr. Mbrëmjen e së martës, u mbyll edhe pikëkalimi kufitar i Merdarës, pasi në anën serbe janë vendosur barrikada, rreth 2 km larg kufirit. Emigrantëve ju këshillohet të përdorin vendkalime të tjera për hyrje në Kosovë.
 
Akuzat për nxitje destabilizimi, Kremlini: Mbështesim vendimet sovrane të Serbisë
 
Më herët autoritetet në Kosovë akuzuan Rusinë se po nxit veprimet  e Serbisë, por Kremlini mohon se po influencon Beogradin  për destabilizimin e Kosovës.
 
“Serbia është një vend sovran dhe është absolutisht e gabuar të kërkohet një lloj ndikimi shkatërrues i Rusisë këtu. Serbia mbron të drejtat e serbëve që jetojnë afër në kushte kaq të vështira. Sigurisht që ne mbështesim Beogradin në veprimet që po ndërmerren.”, - deklaroi zëdhënësi i presidentit rus Putin, Dimitry Peskov.
 
Për shkak të barrikadave të serbëve lokalë që nga 10 dhjetori janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, ajo në Jarinjë dhe Bërnjak. 
 
GYLTENE SINANI