Tensionet në Kosovë, reagojnë ShBA dhe BE, Vuçiç u kërkon serbëve të heqin barrikadat

28.12.2022 19:51

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës....

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar me shqetësim për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët, ato i bëjnë thirrje palëve për vetëpërmbajtje për të zbutur situatën.

Pas këtij apeli,  presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.

BE dhe ShBA apelojnë për respektimin e ligjit dhe mirëpresin “garancitë e lidershipit të Kosovës” që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Të gjitha detyrimet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë”, thekson deklarata. Pas kësaj deklarate përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, që ishin në Beograd, do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada dhe pas orës 19:00 do të takohen me Vuçiçin në territorin e Serbisë, ku do të kuptohet se çfarë vendimi kanë marrë serbët e veriut, sa i përket çështjes së tërheqjes nga barrikadat.