Vuçiq në tentim të bindë serbët të heqin barrikadat në veri

28.12.2022 22:25

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq....

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, është takuar me serbët e Kosovës, për ti bindur të heqin barrikadat në veri. Para takimit ka pranuar se do jetë një natë e vështirë pasi serbët e pranishëm në takim, kanë kërkuar kohë shtesë për ta sikutuar këtë vendim edhe me serbët e tjerë që për 19 ditë qëndrojnë në barrikada duke bllokuar veriun.

Bisedimet pritet të zgjasin gjatë gjithë natës.

“Unë e kuptoj popullin serb në Kosovë. Ata kurrë nuk do të jenë të kënaqur, e kuptoj këtë, janë të pakënaqur me pozicionin e tyre, sepse nuk e dinë se në cilin shtet jetojnë. Presim që të vijnë me kërkesa për Serbinë dhe mua. Do të shohim nëse pranojnë të heqin barrikadat. Sot fituam për herë të parë diçka që është burim i të drejtave. Nuk mund të ketë prezencë të forcave të Prishtinës në veri të Kosovës pa lejen e serbëve. Ne kemi luftuar gjithë natën që barrikadat të mbeten në tekst” – tha Vuçiq para takimit.

Takimi në Rashkë erdhi pas deklaratës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që theksuan se kanë marrë garanci nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se nuk ka një listë me emrat e serbëve për të arrestuar për protestat dhe vendosjen e barrikadave në veri.

Qëndrimi i Uashingtonit dhe Brukselit është lexuar nga Beogradi si garanci për sigurinë në Veri të Kosovës.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas konsultimeve me Vuçiçin, sqaroi se janë marrë garanci nga KFOR, se forcat e sigurisë së Kosovës nuk do të shkojnë në veri pa pëlqimin e tyre.

Në kërkesën e Beogradit për heqjen e barrikadave ka ndikuar dhe fakti i lirimit me kusht nga autoritetet e Kosovës për ish-policin Dejan Pantiç dhe serbët e tjerë të arrestuar, që akuzohen për terrorizëm për shkak të sulmeve me armë që zhvilluan. Pantiq që duhet të jetë në arrest shtëpiak u pa mbrëmjen  së mërkurës në pikën kufitare në Jarinjë, por menjëherë u largua që aty nga  një patrullë e Policisë së Kosovës e shoqëruar nga dy vetura të EULEX-it.

Kryeministri Albin Kurti reagoi me habi ndaj vendimit për arrest shtëpiak, duke u nisur nga fakti se ata akuzohen për terrorizëm.

Pikërisht për ndalimin e tyre u bllokuan dhe rrugët në veri të Kosovës 19 ditë më parë.

Barrikadat e fundit u vendosën mbrëmjen e së martës  duke bllokuar dhe pikën kufitare të Merdarës. Më herët, edhe Jarinja e Bërnjaku u hoqën nga funksioni.