Botë

Nis heqja e barrikadave, digjen dy kamionë mbi urën e Zveçanit

29.12.2022 09:05

Pika kufitare në Merdarë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është sërish e hapur për qarkullim....

Pika kufitare në Merdarë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është sërish e hapur për qarkullim. Njëzet kamionë tashmë presin nga pala serbe për të kaluar në Kosovë. Pika kufitare Merdarë u mbyll nga policia e Kosovës më 27 dhjetor pasi një grup serbësh bllokuan rrugën për në kufi. Barrikada atje u hoq sot në mëngjes, pas marrëveshjes së arritur të mërkurën në mbrëmje në takimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me serbët e Kosovës në kazermën ushtarake Stefan Nemanja në Rashkë me pjesëmarrësit e bllokadës, takim ky i mbyllur për publikun.  

Ndërkohë, dy kamionë që përbënin njërën nga barrikadat e ngritura në urën e Zveçanit  afër Mitrovicës janë djegur gjatë natës. Ende nuk dihet shkaku i zjarrit. Në 20 ditët e fundit serbët kanë vendosur barrikada në të paktën 14 lokacione në komunat e veriut të Kosovës. Heqja e barrikadave erdhi pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, I siguroi  përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, se  janë dhënë garanci se kërkesat e tyre do të plotësoheshin.
 
Vuçiç, mbrëmjen e 28 dhjetorit, u takua në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave. Në takim, Vuçiç tha se Dejan Pantiç ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”. Arrestimi i ish-policit serb, për të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori. Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Megjithatë Pantiç mbrëmë u pa në Jarinjë nga ku u largua urgjentisht nga policia e Kosovës që shoqërohej nga dy makina të Eulexi-it. Vendimi i lirimit të tij në arrest shtëpiak, shkaktoi reagimin e ashpër të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që nuk e kupton se si tre njerëz të dyshuar me akuzën terrorizëm, mund të lirohen nga paraburgimi. Vuçiç tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”. “Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi presidenti serb.