Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme, Kovaçevski: Viti 2023 s’do të jetë vit i zgjedhjeve

29.12.2022 13:09

Viti 2023 s’do të jetë vit i zgjedhjeve, shprehet i prerë kryeministri Dimitar Kovaçevski....

Viti 2023 s’do të jetë vit i zgjedhjeve, shprehet i prerë kryeministri Dimitar Kovaçevski pas kërkesës së VMRO – DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme. Kovaçevski thotë se përderisa zhvillohet skriningu i cili duhet të përmbyllet në nëntor të vitit që vjen s’do të ketë zgjedhje, ndërkohë që duhet të vendoset edhe për ndryshimet kushtetuese.
 
“Ne sigurisht që s’do të ndërprejmë skriningun pas 17 vitesh pritje, dyta kriza energjetike dhe ekonomike s’do të ndalojë dhe e treta do të duhet të marrim vendime të mëdha në kuvend, të cilat kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, e të cilin s’do ta siguronin zgjedhjet. Lidhja e zgjedhjeve me çështje strategjike është joadekuate.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Interes i vendit, jo vetëm i qeverisë
 
Kovaçevski është optimist për ndryshimin e kushtetutës për t’i vënë vulën vazhdimit të rrugës evropiane dhe konsensusi i nevojshëm politik prej 80 votash është në interes të vendit dhe jo vetëm të qeverisë, shprehet ai.
 
“Ndryshimet kushtetuese dhe të gjitha vendimet që do të vijojnë deri në anëtarësimin e plotë janë obligim i të gjitha partive politike. Ky është interes mbi partiak për qytetarët. Partitë politike kanë tema të tjera për të cilat munden të garojnë për politika ditore duke filluar nga politikat tatimore, sociale, investimet e të tjera. Megjithatë kjo çështje është çështje për ardhmërinë e qytetarëve.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Rikonstruim i qeverisë, Kovaçevski nuk parashikon ndryshime
 
Përderisa vijon skriningu, kreu i ekzekutivit nuk parashikon ndërrim të ministrave edhe përkundër pakënaqësive nga grupi i zjarrit, por edhe skandalit me librin e gjuhës shqipe dhe pakënaqësitë e pacientëve me fibrozë cistike në mungesë të ilaçit për këtë sëmundje.
 
“Duhet të theksoj rolin e të gjithë ministrave. Nëse flasim për krizën energjetike këtu është zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, ministri për financa dhe ministri i ekonomisë; nëse flasim për pensionet dhe pagën minimale meritore është ministrja për punë dhe politikë sociale, për vendosjen e shujtës studentore ministri i arsimit. Sa i përket librit të gjuhës shqipe, i njëjti do të tërhiqet. Ajo pjesë do të zëvendësohet dhe do t’u kthehet nxënësve në gjysmë vjetorin e dytë. Duhet të dimë se ministri i arsimit nuk shkruan libra.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Ndërkohë tre emrat e funksionarëve për përfshirje eventuale në korrupsion, e për të cilët Kovaçevski nuk ka njohuri, të njëjtat do të bëhen publike me përfundimin e procedurës parahetimore dhe konfirmimin e dyshimeve.
 
MERAL ISMAILI