Maqedoni
Kuvendi, Sindikati i UKIM: Marrëveshje kolektive, do të ketë rritje të pagave në këtë universitet
29.12.2022 13:59
Sindikati i Universitetit Shën Kirili dhe Metodi dhe Kuvendi nënshkruan marrëveshje kolektive për rritjen e pagave të të punësuarve....

Sindikati i Universitetit Shën Kirili dhe Metodi dhe Kuvendi nënshkruan marrëveshje kolektive për rritjen e pagave të të punësuarve. 2400 të punësuar pranë këtij Universiteti do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.
“Me nënshkrimin, u pranuan angazhimet tona mbi bazën e të cilave në vitin 2024 dhe 2025 do të ketë rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve, e cila do të kontribuojë në zhvillimin më cilësor të shkencës dhe arsimit të lartë, në interes të studentëve dhe shtetit.”, - deklaroi kryetari i sindikatit pranë UKIM, Angell Ristov.
Ristov falënderoi kryeparlamentarin Talat Xhaferi për pranimin e kërkesave të tyre dhe nënshkrimin e marrëveshjes.
“Shprehim falënderim të veçantë ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi i cili pranoi kërkesat tona për përmirësimin e pozitës materiale të të punësuarve në universitet . Ky është akt historik sepse për herë të parë një universitet shtetëror nënshkruan marrëveshje kolektive me kuvendin me çka vërtetojmë se shteti do të përkrah zhvillimin e arsimit.”, - theksoi kryetari i sindikatit pranë UKIM, Angell Ristov.
Nënshkrimi i marrëveshjes pasoi pas një sërë protestash dhe negociatash për rritjen e pagave. Marrëveshja kolektive do të mundësojë rritjen graduale të pagave për të cilat sindikalistët ankoheshin se janë ndër më të ulëtat në rajon.
FLUTURA LATIFI
