Botë
Kosovë, hiqet barrikada, hapet vendkalimi në Merdarë
29.12.2022 15:07
Është hequr mëngjesin e së enjtes barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdarë..

Është hequr mëngjesin e së enjtes barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdarë, në territorin e Serbisë, me çka është bërë e mundur hapja e vendkalimit kufitarë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor në kilometrin e dytë brenda në Serbi, në ora 09:50 është liruar për qarkullim. Policia njoftoi qytetarët dhe bashkatdhetarët se tani pikë-kalimi kufitar Merdarë, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë.
Ndërkohë gjatë natës janë djegur dy kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut. Policia e Kosovës ka njoftuar se përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar. Djegia e këtyre kamionëve ndodhi pikërisht në ditën kur nisën të largohen barrikadat pas 20 ditësh bllokimi të rrugëve në katër komunat në veri të Kosovës.
Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas lirimit nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor. Pantiq u lirua dje nga paraburgimi me vendim të gjykatës që atij ti zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Heqja e barrikadave ishte kushtëzuar edhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës.
Shkup, protesta para ambasadës së Serbisë
Për shkak të tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mbajti një protestë para ambasadës serbe në Shkup, me ç’rast kreu i kësaj shoqate Shpëtim Pollozhani tha se presidentit serb Vuçiq po tenton t’i përdorë metodat e njëjta me ato të presidentit rus në Ukrainë.
“A nuk jemi vallë dëshmitarë të një lufte të përgjakshme të neo kolonializmit në Ukrainë ku usia dëshiron ta grabis atdheun e Ukrainasve. A nuk i përdori Vuçiq klerin i cili e bekon çdo mjet luftarak që niset në luftë, bashkë me rusët ukrainas si mish për top në luftën që është duke u zhvilluar atje. Edhe kjo kopja e shëmtuar e Putinit është duke shkuar hapave të tij. Edhe ky serbët e Kosovës i përdorë si vegla.”, - deklaroi Shpëtim Pollozhani, nga shoqata e të burgosurve dhe të dëmtuarve politikë shqiptarë.
Protesta u mbështet edhe nga Aleanca për Shqiptarët, nga e cila shprehën përkrahje për qeverinë e Kosovës të instalojë ligjin në Shtetin e Kosovës dhe dënoi aksionin e bandave të përkrahura nga qeveria e Serbisë.
“Dihet mirëfilli se tendenca e qeverisë së Serbisë është tendencë destabilizuese, për të destabilizuar shtetin e Kosovës. Sovraniteti duhet të jetë funksional dhe e drejta elementare e njerëzve në shtet është e drejta e lëvizjes. Me vendosjen e barrikadave pamundësohet lëvizja e lire e qytetarëve.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Protesta u mbështet edhe nga Lëvizja “BESA”, partia Alternativa, si dhe partia jashtëparlamentare Lëvizja Qytetare Evropiane.
GYLTEN SINANI
