Maqedoni

Përdorimi i mjeteve piroteknike, Mjekët: Lëndët plasëse mund të shkaktojnë pasoja serioze

29.12.2022 17:15

Duke dashur të argëtohen edhe më shumë, gjatë festave të fundvitit, me përdorimin e mjeteve të ndryshme piroteknike..

Duke dashur të argëtohen edhe më shumë, gjatë festave të fundvitit, me përdorimin e mjeteve të ndryshme piroteknike, shumë njerëz mbeten pa gishtërinj apo dëmtojnë gjymtyrë të tjera. Vetëm për disa sekonda kënaqësi, gjatë gjithë jetës nuk do të mund t’i lidhni këpucët, të shkruani dhe të bëni atë që gjithnjë keni ëndërruar. Me këto mesazhe dhe fotografi me pacientë që janë operuar në klinikën plastike dhe rekonstruktive, mjekët i informuan nxënësit e shkollave të mesme se çfarë rreziku mund t’u kanoset nëse vazhdojnë t’i përdorin ato. 
 
“Secili lëndim është i rëndë ku humben pjesë të dorës, d.m.th. humbin gishtat, kockat dhe prandaj mundësitë për shërim janë të vogla, hendikepi që mbetet pastaj është i rëndë.”, - u shpreh një mjeke.
 
Rreth 10 mijë nxënës të shkollave të mesme në vend ishin pjesë e fushatës “Petardet i prishin pushimet”.
 
“Roli ynë jo vetëm që ishte shkëmbimi i informacioneve mes nxënësve, por kjo na shërbeu edhe si një mundësi për të shkëmbyer njohuri mes nxënësve më të rinj, gjegjësisht nxënësve të shkollave të mesme. Kishim mundësi gjithashtu të bëjmë një organizim dhe t’i inspirojmë të rinjtë se si duhet të mbrohen ose se pse nuk duhet të përdoren këto mjete piroteknike.”, - tha një pjesëmarrëse e fushatës.
 
95 për qind e nxënësve e kuptuan se sa e rëndësishme është mbrojtja e gjymtyrëve nga dëmtimet dhe 80 për qind do të transmetonin informacionin që merrnin nga mjekët. Ata iu drejtuan edhe prindërve me apelet e tyre për kujdes, sepse ka pasur raste kur edhe të rriturit, duke dashur t’i gëzonin fëmijët e tyre, kanë përdorur petarde duke pësuar lëndime fizike.
 
FITORE DEMOLLI