Maqedoni

Pyetje deputetësh në kuvend, opozita e pakënaqur nga përgjigjet e kryeministrit

29.12.2022 17:37

Seancë e nxehtë parlamentare teksa kryeministri Kovaçevski iu përgjigj pyetjeve të deputetëve...

Seancë e nxehtë parlamentare teksa kryeministri Kovaçevski iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, të fundit për këtë vit. VMRO-DPMNE pyeti kreun e ekzekutivit se kur do ta shkarkojë shefin e ri të Agjencisë për Siguri, Zarko MIlloshevski për të cilin ekziston dokument që e involvon atë direkt në marrjen e shtetësisë maqedonase për oligarkun kontrovers rus Onishcenko. Kovaçevski ripërsëriti se kreu i ri i ASK-së është profesionist e kjo shkaktoi reagimin e VMRO-së që insiston se kryeministri po e mbron Milloshevskin.
 
“Në seancën e mbajtur më 14 dhjetor, qeveria emëroi drejtorin e ri të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe në të njëjtën seancë shkarkoi ish-drejtorin e Agjencisë. Për detajet e çështjes “Onishçenko”, Komisioni për Mbikëqyrjen e Sigurisë dhe Shërbimeve në Kuvend ka pasur mundësinë të informohet në detaje. Pas asaj seance do të njoftohet edhe Qeveria, po në seancë të mbyllur. Dhe nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me këto gjetje, atëherë do të mund t'i paraqisni ato tek institucionet përkatëse.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
“Pikërisht për këtë, kryeministri nuk lejoi të përfundonte procedura, pra hetimi për përcaktimin e përgjegjësisë dhe nxitoi të emëronte një drejtor të ri, i cili duhej të ndalonte të gjithë hetimin. Kush do të hetonte tani veten nga pozicioni i personit të parë?!”, - u shpreh Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
 
Opozita kërkoi përgjigje edhe për rejtingun e dobët të gjyqësorit dhe nëse qeveria po vepron në luftën kundër korrupsionit dhe për rastet në të cilat janë të përfshirë drejtpërdrejt zyrtarët aktualë.
 
Deputetët e VMRO-DPMNE-së vlerësuan se ky vit do të mbyllet me shumë skandale, gjë që, sipas tyre reflektohet në sondazhet për besimin e ulët të qytetarëve në institucionet shtetërore.
 
FITIM KRYEZIU